Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me raportimet se i ndjeri Martin Cani dhe shoku i tij, Luis Meçe janë goditur mne thikë edhe nga një tjetër person, përveç autorit Mario Përlleshaj.
Në njoftimin e policisë, thuhet se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje. Po ashtu bëhet me dije se dëshmia e prindit të Luis Meçes do të vlerësohet në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.
Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.
Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë.
Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinformon opinion publik.
Dëshmia e 14-vjeçarit, Luis Meçe
Luis Meçe ka thënë se ai dhe Martin Cani janë goditur disa herë me thikë, përveçse nga autorit tashmë i arrestuar edhe nga një person tjetër shok i autorit, me iniciale G.B. Sipas të plagosurit autori, Mario Përlleshi vka pasur thikë më të madhe, ndërsa personi tjetër thikë më të vogël. Raportohet se babai i të plagosurit është marrë sërish në pyetje në polici dhe ka dhënë të njëjtën dëshmi. Këto deklarime kanë bërë që grupi hetimor të vijojë sekuestrimin dhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në të gjithë zonën nga e para. Tashmë po hetohet edhe pista që mund të kenë qëlluar dy persona. Nga kqyrja e parë e kamerave është konfirmuar se autori i arrestuar dhe dy bashkëmoshatarë të tjerë largohen me vrap nga vendi i ngjarjes deri te ish-ATSH aty ku u gjet edhe çanta dhe një thikë.
Pasi kanë mbërritur aty, dyshohet se një person i ka marrë me makinë të tre të mitur. Hetuesit janë rikthyer sërish aty për të sekuestruar kamerat. Bëhet po ashtu me dije se thika që u gjet nga policia nuk është e njëjtë me atë që ka publikuar autori i arrestuar në rrjete sociale menjëherë pas krimit. Ky fakt ka ngritur dyshimet te policia se mund të kenë qënë dy autorë të cilët dyshohet se kanë qëlluar me dy thika të ndryshme. Edhe telefonat celularë të autorit të arrestuar dhe dy shokëve të tij ende nuk janë gjetur nga policia. Dëshmitë e reja dhe dyshimet nga hetuesit i ka dhënë një tjetër rrjedhë hetimeve të policisë, për ngjarjen e rëndë. Përveç rikëqyrjes së kamerave të sigurisë, do të rimerren në pyetje i gjithë stafi i shkollës “Fan Noli”, të gjithë dëshmitarët e përfshirë që kanë qenë në ngjarje por dhe minorenët e përfshirë në konflikt.