Nga Adriatik Doci
Dosja e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan vizaton qartë kapjen e frikshme të Gjykatës së Elbasanit nga krimi i organizuar.
Në biseda të lira, Pajtime Fetah i drejtohet Suel Çelës me epitetet si; ‘Ylli i sabahut’, ‘dritë’, ‘zemër’, ‘vetëm ty të kam’, ‘jetë’, ‘fllad’ etj., ndërsa Çela është më i përmbajtshëm, por tejet i qartë në synimet e tij, duke përdorur gjyqtaren për mbylljen e dosjeve të tij dhe të ushtarëve, për të vijuar ndërmarrjen kriminale.
Mes të tjerash, Suel Çela thotë se ai është angazhuar për të rikthyer Pajtime Fetah në gjyqësor pas pezullimit, pasi Likja (Ilir Meta) nuk e fuste në rendin e ditës. Pra, Suel Çela pretendon se ka ndikuar tek Ilir Meta për t’i hapur rrugë rikthimit në sistem të Pajtime Fetahut, një gjyqtare me natyrë mafioze, pasi kishte porositur goditjen fizike të gazetarit Saimir Kodra dhe të avokatit Arben Llangozi.
Thëniet e Suel Çelës, të përftuara nga SPAK falë zbërthimit të aplikacionit SkyEcc, përputhen me veprime konkrete të Ilir Metës, kur ishte në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkak të funksionit si President i Republikës.
Në shkurt të vitit 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra dhe filloi procedimin disiplinor për gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetah, pasi dyshohej se kishte kryer akte dhe sjellje që diskretitojnë figurën e gjyqtarit. Pezullimi i gjyqtares Fetahu erdhi pas publikimit në emisionin investigativ “Stop” me 31 janar 2017, të një numëri përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie, ku shfaqeshin duke bërë pazare. Gjyqtarja kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.
Në shtator të po atij viti (2017) Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale për gjyqtaren, me arsyetimin se nuk u provua përfshirja e gjyqtaret në korrupsion. Çështja për dy sekserët u transferua në prokurorinë e zakonshme.
Me mbylljen e dosjes, Pajtime Fetah kërkoi rikthimin në sistem si gjyqtare, rikthim që kalonte përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili operonte me dy standarde. Kujtojmë këtu pengimin pa arsye të Ina Ramës për t’u kthyer në sistem pasi i mbaroi mandatin si kryeprokurore edhe pse kishte futuar betejën gjyqësore me vendim të formës së prerë.
Nga maji 2017 deri në maji 2018, KLD-ja nuk përfshiu në rendin e ditës kërkesën e Pajtime Fetah për të marrë edhe një herë në dorë çekiçin e drejtësisë. KLD-ja drejtohej pikërisht nga Ilir Meta që nga data 24 korrik 2017 kur u betua si President.
Në maj të vitit 2018, Ilir Meta i hapi rrugë rikthimit të Pajtime Fetah në gjyqësor. Por që Meta të vihej në lëvizje është dashur ‘dora’ e Suel Çelës. Se kush është fuqia që vë në lëvizje Ilir Metën këtë e tregoi një video-skandal i publikuar nga Dritan Prifti në vitin 2011, por po aq qartë e dëshmon dosja e SPAK për korrupsionin e tij 25-vjeçar.
Ndërkaq, në nëntor të vitit 2021, Pajtime Fetah iu nënshtrua një tjetër procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%.
Hetimi nisi pas publikimit disa fakteve të transmetuara në emisionin investigativ ‘STOP‘ të TV Klan, më 31.01.2017, që diskreditonin rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ku pretendohej se magjistratja kundrejt një shume monetare kishte marrë përsipër aplikimin e minimumit të dënimit për një të pandehur në paraburgim, që akuzohej për tre vepra penale. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Pajtime Fetah kërkonte ‘kokën’ e drejtuesit të emisionit Saimir Kodra.