Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë për vitin 2024. Ndërkohë theksohet se autoritetet të tejkalojnë realizimin e objektivit të buxhetit për vitin 2024 dhe synojnë një qëndrim fiskal më të lehtësuar në vitin 2025.
Me të ardhurat në rrugën e duhur falë konjukturës së favorshme dhe vonesat në ekzekutimin e shpenzimeve kapitale, suficiti primar për vitin 2024 pritet të jetë rreth 0,5 për qind e PBB-së, lehtësisht më i lartë sesa objektivi buxhetor prej 0,3 për qind e PBB-së.
Por çfarë nevojitet aktualisht për një rritje të qëndrueshme të të ardhurave?
Sipas FMN ajo që nevojitet është realizimi i një strategjithe të besueshme afatmesme ndërsa realizimi i rritjes së të ardhurave të parashikuara do të kërkojë zbatim me vendosmëri të masave administrative dhe reformave të mëtejshme në politikën tatimore.
Gjithashtu, rritja e presioneve afatgjata mbi shpenzimet do të kërkojë reforma edhe më ambicioze. Por duke cituar raportin, stafi i FMN-së vlerëson një rritje të shpenzimeve publike prej rreth 10 pikë përqindje të PBB-së gjatë 25 viteve të ardhshme, shkaktuar kryesisht nga pensionet, kujdesi shëndetësor dhe përshtatja klimatike.
Nga ana tjetër, rregjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka shërbyer Shqipërisë dhe duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve. Analiza e FMN-së sugjeron se vlerësimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur përgjithësisht nga faktorë thelemorë si turizimi dhe produktiviteti.
Por rreziqet e këtij parashikimi lidhen me dobësimin e kërkesës për turizmin, pas goditjeve globale, ku si rezultat mund të sjellë zhvlerësimin e kursit të këmbimit dhe një rënie në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar negativisht në sektorët financiarë dhe publikë.
Gjithashtu në raport theksohet se ruajtja e ritmit të reformave në qeverisje është kyç për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm biznesi. Përfundimi i afërt i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe përparimi domethënës në reformat e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, janë piketa të rëndësishme.
Reformat duhet të ecin më tej, përfshi uljen e ngarkesës së çështjeve të prapambetura, krijimin e një sistemi elektronik të integruar të menaxhimit të çështjeve dhe plotësimin e pozicioneve të lira kyçe në mënyrë transparente dhe bazuar në meritë.