Analisti Eduart Zaloshnja ka vendosur të padisë në Gjykatë, gazetën zyrtare të Partisë Demokratike, Rilindjen Demokratike.
Arsyeja e padisë është një artikull i datës 9 korrik, ku thuhet se analisti është një ish-spiun i sigurimit të Shtetit, dhe se është i paguar me paratë e krimit.
Njoftimin për padinë e bën të ditur vetë Zaloshnja në një komunikatë për mediat, ku mes të tjerash shton se do të kërkojë nga RD një dëmshpërblim moral prej 100 eurosh, si për autorin e shkrimit, edhe kryeredaktorin e RD-së, Bledi Kasmi.
Njoftimi i plotë:
Në një artikull të RD-së të datës 9 korrik, të shkruajtur nga Arben Shahini, ka shpifur se kam qenë një spiun i hershëm i Sigurimt të Shtetit, dhe se jam një njeri i paguar nga paratë e krimit, për të publikuar sondazhe të porosituara nga Edi Rama.
Për këto shpifje, do të depozitoj një padi civile për 100 euro dëmshpërblim moral, si për autorin Arben Shahini, edhe për kryeredaktorin Bledi Kasmi. Ky i fundit kishte për detyrë të verifikonte shkrimin e Shahinit, para se ta botonte. Mjaftonte që ai të pyeste Berishën (i cili duhet t’i ketë fotokopjet e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), dhe do të kishte marrë vesh se unë jo vetëm që s’kam qenë spiun i Sigurimit të Shtetit, por kam qenë i survejuar prej tij. Më tej, Kasmi, si kryeredaktor, duhej t’i kishte këruar gazetarit të tij fakte ose prova për financimin nga krimi të sondazheve të mija, të cilat, në fakt, kushtojnë fare pak, sepse i kryej në mënyrë elektronike.
Më vjen keq që do të padis në gjyq gazetën ku kam botuar artikujt e mij të parë, por , të paktën në këtë rast, ajo është bërë më shpifëse ndaj meje, seç ka qenë dikur Zëri i Popullit.