Sot Gjykata e Tiranës riregjistroi Doktorin si kryetar të PD-së. Ky ishte një moment i papërshkrueshëm gëzimi për Mulën, i cili u dërgoi një mesazh publik të gjithë demokratëve.
Të dashur demokratë,
Sot, pas 11 vitesh, Doktori u rikthye përsëri kryetar i PD-së. Edi Rama, i cili emëroi Lulzim Bashën në vitin 2013 për nevojat e tij, më në fund u dorëzua dhe u detyrua të njohë Doktorin si kryetar.
Këto 11 vite, demokratët janë drejtuar nga i emëruari i Edi Ramës në krye të PD-së, të cilit Doktori i hapi rrugë duke shpresuar se ai do hiqte dorë nga shërbimet për Edi Ramën.
Doktori i dha shans më 2015, kur humbi zgjedhjet lokale, që të vazhdonte përsëri. I dha shans më 2017, pas marrëveshjes me Ramën dhe humbjes në zgjedhje. I dha shans përsëri më 2019, kur nuk mori pjesë në zgjedhje. I dha shans edhe më 2021, kur humbi sërish zgjedhjet.
Edhe pasi amerikanët e shpallën Doktorin “non grata” në maj, me rekomandim të Lul Bashës, Doktori i dha prapë një shans në korrik të rizgjidhej kryetar i PD-së, pasi besonte se Rama do të mërzitej me të si kryetar.
Por ai, në muajin shtator, guxoi të përjashtonte Doktorin nga Grupi Parlamentar i PD-së.
Kjo nuk mund të tolerohej. Ai dhe Edi Rama do të merrnin pas kësaj përgjigjen e merituar. Pas një beteje trevjeçare, ne kemi sot përsëri kryetar Doktorin.
Ashtu siç fituam këtë betejë të vështirë kundër Lulit, ku na është dashur të rrihemi edhe me njëri-tjetrin, ashtu tani të bashkuar do të mundim edhe Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka forcë në botë që të ndalë vrullin tonë.
Revolucioni marshon!