Një dosje e re për SPAK-un, njerëzit që mbyllën pazarin me zë e figurë të Ilir Metës lundrojnë në para, eksperti që rrëzoi videon u shpërblye me poste dhe tendera, një arsye më shumë se pse Monika dhe Meta nuk flenë dot nga frika e reformës në drejtësi
Mbetet një nga vendimet më të turpshme dhe njollat më të zeza të drejtësisë shqiptare. Pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë shpallën të pafajshëm Ilir Metën, i kapur me zë dhe figurë me bllokun e pazareve në dorë si dhe i njohur ndërkombëtarisht si një ndër politikanët më të korruptuar në Ballkan, më një veprimtari të gjatë abuzimi prej 27 vitesh. Pesë gjyqtarët janë Ardian Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani, bashkëshortja e Ardian Fullanit. Ata rrëzuan ekspertizën e videos së korrupsionit të bërë nga eksperti amerikan Glen Bard, duke pranuar ekspertizën e ekspertit Ermal Beqiri. Ky i fundit tha se videoja e pazarit të Ilir Metës ishte montazh. Më pas, Meta e bëri Beqirin drejtor të hipotekës. Beqiri hapi një kompani në emër të sekretares së vet, dhe nisi duke i dhënë tendera vetës. Beqiri u bë shumë i pasur duke marrë para në buxhetin e shtetit. Ai është përfshirë edhe në skandalin e byzylykëve me Ministrinë e Drejtësisë, gjatë kohës kur drejtohej nga Ylli Manjani.
Gjyqtarët që shpëtuan Ilir Metën nga burgu gjashtë vjet më parë sot janë bërë sheikë për nga pasuria. Pasurinë që kanë vënë, me vetëm një apo dy rroga të deklaruara, as në ëndërr nuk e kanë parë. Përjashtim bën, Majlinda Andrea, e cila nuk tregoi fare kujdes. Burri i saj u kap duke bërë një pazar për mbylljen e një çështje për 50 mijë euro. Kështu Majlinda u dënua nga shokët e saj. Të tjerët vijojnë pasurimin dhe karrierën në drejtësi, por tashmë të trembur nga Vetingu. Që të gjithë po kontrollohen aktualisht nga institucionet e Vetingut për pasurinë që kanë. Frika e tyre e madhe qëndron tek amerikanët, të cilët po kontrollojnë procesin e kontrollit. Mënyra se si njerëzit që shpëtuan Ilir Metën nga burgu bënë pasuri të madhe të pajustifikuar, bënë karrierë, morën tendra dhe u shpërblyen me poste duhet të jetë një dosje e re për SPAK-un. Më poshtë po japim disa fakte lehtësisht të verifikueshme dhe të dokumentuara në organet përkatëse.
Njëri nga gjyqtarët që ka shpëtuar Ilir Metën nga burgu, vetëm brenda një viti, ka deklaruar 18 apartamente në një pallat në Shëngjin. Si të ardhura bazë ky gjyqtar ka vetëm pagën bazë, por në Shëngjin ka pothuajse një pallat. Ky gjyqtar, rezulton se ka edhe tre njësi ndërtimore në Shëngjin. Ky thotë se ka edhe dy sipërfaqe trualli 1941 m2, gjithashtu në Shëngjin, të cilat thotë se i ka blerë për 16 mijë euro. Gjyqtari ka edhe një lokal në Shëngjin. Të shikojmë a do të mundë që ky personazh i drejtësisë do t’i shpëtojë Vetingut. Gjyqtari tjetër, Gani Dizdari, i cili ka firmosur për pafajësinë e Ilir Metës, sapo i mbaroi mandati në Gjykatën e Lartë u emëruar në Gjykatën Kushtetuese, duke bredhur në masat e sistemit të drejtësisë. Gjyqtari tjetër Ardian Dvorani, ishte i vetmi që bëri një arsyetim kundër pafajësisë së Ilir Metës, por në fund votoi njësoi si të tjerët. Arjana Fullani është një gjyqtare tjetër që ka firmosur pafajësinë e Ilir Metës. Bashkë me Ardian Fullanin ata kanë shtëpi 2 plus 1, 100 m2, shtëpi tjetër dy plus 1, 90 m2, në Golem, kanë plus garazh, 335 m2. Këtë fundin e kanë pranë Ambasadës Amerikane. Kanë një vilë në Farkë si dhe një tokë 840 m2. Kanë apartament Mali Robit. Disa banesa të tjera u kanë kaluar vitet e fundit në pronësi të fëmijëve. Qindra euro thonë se ua kanë dhënë hua të afërme. Qindra mijëra euro i kanë në llogaritë bankare. Dhe kjo është vetëm pjesa e deklaruar. Po cili është burimi? Burimi janë dy paga./Pamfleti.com