Edi Paloka thotë se Donald Trump dhe Sali Berisha kanë një armik të përbashkët: Sorosin.
Por sipas tij, tashmë ata janë në revansh ndaj Sorosit.
“Lufta që u bë për të mos lejuar rikthimin e Trump-it në presidencë dështoi. Armiku kryesor i presidentit Trump, siç dihet tashmë publikisht, ka qenë i njëjti armik i konservatorëve dhe i të djathtës në mbarë botën. Në mënyrë të veçantë, ky armik ka ndikuar edhe në Shqipëri. Ne jemi ata që kemi pësuar drejtpërdrejt pasojat e një lufte të ashpër që George Soros dhe grupi i tij i kanë bërë Partisë Demokratike. Kjo luftë është pasqyruar si në goditjet ndaj Sali Berishës, si lider i saj, ashtu edhe në sulme të tjera e intriga që i janë bërë kësaj partie, me synimin për eliminimin e saj të plotë, gjë që, për fat të mirë, nuk u realizua.
Fitorja e presidentit Trump dhe rimarrja e flamurit dhe simboleve të Partisë Demokratike nga ne na dha frymëmarrje. Gjatë kësaj kohe, siç e dini, kemi rikthyer marrëdhëniet me partnerët tanë. Për vite të tëra, nuk kishim mundësi, kohë apo hapësirë për të komunikuar me partnerët, gjë që solli indiferencë dhe madje sulme të shpeshta të nxitura dhe sponsorizuara nga qeveria shqiptare dhe grupet e lidhura me Sorosin.
Fitorja e Trump-it, rikthimi ynë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe informimi i saktë për situatën në Shqipëri sollën një ndryshim të rëndësishëm. Rezultatet janë përkthyer në tre rezoluta të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë, të cilat përfaqësojnë partitë që sot udhëheqin botën. Këto përfshijnë Partinë Republikane në SHBA, që është pjesë e IDU-së, deri te partitë popullore në Evropë, të cilat përbëjnë shumicën e qeverive të kontinentit.
Këto tre rezoluta kanë dënuar në mënyrë të ashpër dhe kanë pasqyruar realitetin e situatës në Shqipëri, si në zgjedhje, ashtu edhe në korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë aktuale me krimin. Gjithçka që ne kemi përsëritur ndër vite është tashmë pjesë e axhendës ndërkombëtare.
IDU-ja ka shkuar përtej dhe ka mbështetur kërkesën tonë për një qeveri teknike, si një mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen.
Kjo situatë e re, e favorshme për ne dhe disi e papritur për shumë prej nesh, u diskutua në Këshillin Kombëtar. Strategjia jonë mbetet e njëjtë: të punojmë paralelisht për ngritjen dhe fuqizimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe përgatitjen për fushatën zgjedhore. Njëkohësisht, do të vazhdojmë me mosbindjen civile, si e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë qeveri dhe për të kërkuar me këmbëngulje pikën tonë kryesore – qeverinë teknike – e cila tashmë është përfshirë edhe në rezolutën e IDU-së, organizata më e fuqishme ndërkombëtare”, tha Paloka për televizionin e familjes Berisha.