Çfarë është IDU
Është mbajtur këto ditë në Washington DC Forumi Vjetor i Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU). Ky forum është një platformë globale që bashkon 80 parti, të djathta dhe të qendrës së djathtë, nga 60 vende të botës. Në të përfshihen disa nga partitë më të njohura si; Partia Republikane Amerikane, Konservatorët Britanikë dhe Kristian Demokratët Gjermanë të CDU-së. Shumë nga anëtarët e saj vijnë nga demokracitë e krijuara pas viteve 1990 të tilla si; partitë e djathta të Azerbajxhanit, Bjellorusisë, Bolivisë, Kilit, Kolumbisë, El Salvadorit, Ganës, Guatemalës, Nepalit, Maldiveve, Tanzanisë apo Sri Lankës.
PD dhe përfaqësimi në IDU
Padiskutim edhe Partia Demokratike e Shqipërisë është pjesë e këtij forumi dhe çdo vit ka marrë pjesë nëpërmjet përfaqësuesve të saj. Sivjet, më shumë se kurrë, Partia Demokratike u përfaqësua e ndarë jo vetëm në përfaqësi por edhe në nivelin e takimeve si dhe në axhendën që kishin palët.
Grupimi i kryesuar nga Fatmir Mediu dhe që e pompoi më shumë në media Belind Këlliçi, të paktën me aq sa kanë bërë publike, nuk rezulton të jenë takuar me asnjë nga stafi i zgjedhur nga Presidenti Trump që pritet të marrë detyrën në janar të vitit pasardhës. Vetë Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, me anë të një postimi në rrjetet sociale, thotë se ka biseduar me Kryetarin e IDU, ish kryeministri i Kanadasë Stephen Harper, ish kryeministrin e Australisë Scott Morison, ish kryeministren Britanike Liz Trust, Lideren e re të Konservatorëve Britanik Kemi Badenoch, Lordin Michael Ashcroft, ish kancelarin Austriak Sebastian Kurz.
Ndryshe rezulton me grupin e Lulzim Bashës i cili është pritur zyrtarisht nga kongresmeni Darrell Issa që është kandidati kryesor për Kryetar të Komisonit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA dhe nga kongresmeni French Hill i cili është kandidati për të drejtuar Komitetin e Financave.
Përveç këtyre, në profilin e tij të Facebook Lulzim Basha shprehet se:”Gjatë këtij forumi, zhvillova biseda dhe takime të veçanta me drejtues të ndryshëm, duke përfshirë kreun e grupit parlamentar të PPE-së dhe presidentin e këtij grupi, kryetaren e re të konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch, kongresmenë, eurodeputetë dhe drejtues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.”
Duket qartë diferenca në takime çka reflekton dhe peshën në lobime. Kjo jep një panoramë më të qartë edhe të profilit të politikanit dhe kapaciteteve në burime njerëzore që ka Partia Demokratike.
Ashtu siç u tha edhe më lart, palët ishin të ndara edhe në axhendë. Grupimi i Fatmir Mediut kishte synim të qartë: reflektimin e një realiteti sipas optikës së grupimit të Rithemelimit. Duke qenë vetë subjekt i SPAK, njëjtë me kreun e PD, reflektimi i drejtësisë si e kapur nga Rama duket se ka qenë kryefjala e çdo takimi.
Pra, axhendë e pastër e minimit të SPAK dhe GJKKO. Ndryshe rezulton të ketë ndodhur me Lulzim Bashën. Ai në çdo takim ka kërkuar mbështetjen e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit si dhe ka prezantuar platformën e tij për veting në politikë dhe heqjen e imunitetit të politikanëve si dy mekanizma që ndihmojnë procesin e pastrimit të politikës nga lidhjet me krimin dhe zyrtarët e korruptuar. Gjithashtu, në fokus ka qenë edhe siguria rajonale e sidomos ajo e shtetit të Kosovës, ndryshe nga dashnorët e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës që rrahin gjoksin nëpër studio televizive dhe gjejnë shkakun e non gratës.
Rezoluta
U trumbetua shumë në mediat pranë Rithemelimit rezoluta e nënshkruar nga anëtarët e IDU-së. Triumfi i sjellë nga Washingtoni u lexua revokim i masës së non gratës. Delir absolut!
Si duhet lexuar rezoluta?
Rezoluta në thelb nuk është asgjë më shumë se një dakortësim i shprehur në formën e vullnetit të përbashkët i anëtarëve të një forumi/organizate për çështje të caktuara të ngritura nga anëtarë që kanë interes ngritjen e kauzave në nivel mbikombëtar. Por, që rezolutat të sjellin efekte, minimalisht politike, por dhe juridike, duhet të kthehen në vullnet institucional. Që do të thotë, firma e një kongresmeni republikan merr vlerë kur nesër administrata Trump të shprehet me akte konkrete mbi çështjet e ngritura në rezolutë. Apo, që Kemi Badenoch, kreu i ri i konervatorëve britanik, të ngrejë në parlamentin anglez çështjen e non gratës apo të qeverisë teknike para zgjedhjeve.
Kështu që, për sa kohë nuk reflektohet në akt institucional, rezoluta nuk ka asnjë vlerë në raport me qeverinë e Ramës që ti imponohet të bëjë apo të mosbëjë ndonjë veprim të caktuar. E në mungesë të kësaj, do të mbetet thjeshtë dhe vetëm një produkt lobimi e qokash mes miqsh forumesh.
Kjo sa i përket rezolutës në parim. Nëse do të lexojmë përmbajtjen, vëmë re se në asnjë rresht të saj nuk përmendet kundërshtimi i procedimit penal të Berishës. Dhe kur flasim për rezolutën, duhet të kemi parasysh pjesën e dytë dhe jo hyrjen. Kjo sepse pjesa hyrëse flet për motivet e rezolutës dhe përfundimi është produkti final për të cilën palët kanë dakortësuar.
Gjithashtu, në asnjë rresht të rezolutës nuk atakohej Reforma në Drejtësi dhe institucionet e dala prej saj (SPAK dhe GJKKO). Se të jetë produkt i Sorosit, as nuk bëhej fjalë.
Përveç sa më sipër, përcillet se: “IDU-ja i adreson Ramës rekomandimet e OSBE/ODIHR si garanci elektorale”. E çudtishme se si harrohet, apo anashkalohet kaq ashiqare fakti, se ishin po këta që bashkuan votat me Ramën për të ndryshuar vetëm një dispozitë të Kodit Zgjedhor: mbylljen e listave. Pra, rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk ishin shqetësim për opozitën në momentin kur u ndërhy në Kod. Thënë ndryshe, të dërguarit e Berishës i kanë prezantuar IDU-së realitetin që atyre u intereson dhe ngrejnë si temë diskutimi ato çfarë ka shkruar Oerdi dhe jo çfarë bëri vetë Oerdi me Damianin.
Efektet që prodhoi Forumi i IDU
Forumi Vjetor i Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU) na shërbeu për të kuptuar më qartë axhendat e rrymave që ekzistojnë sot në Partinë Demokratike. Investimi në heqjen e non gratës (interes personal) dhe i mbylljes së SPAK (interes i një grushti njerëzish) u përplas me interesin e mbështetjes së drejtësisë në luftën kundër krimit e korrupsionit (interesi i qytetarëve shqiptar) dhe të integritetit territorial të Kosovës (interes mbarë kombëtar). Washingtoni, si qendër e prodhimit të politikës botërore, na shpalosi kësaj rradhe dy projeksionet që ekzistojnë sot në PD. Dhe, kthjelltësia e dy grupimeve ishte e atillë sa nuk lë vend për interpretime e retorika boshe. Tashmë, demokratët, e jo vetëm, kanë në dorë të zgjedhin mes alternativave që do i ofrohen në zgjedhjet parlamentare të 2025, konkretisht; të mbyllin ciklin e tranzicionit 35 vjeçar apo të vazhdojë agonia edhe për 10 apo 20 vitet e ardhshme./Nga Besart Logu