Telefonata e të resë Sajma Qordja se ishte dhunuar nga disa persona në një banesë në katin e tetë të një pallati në Astir, alarmoi sot Policinë e Tiranës.
Forca të shumta, përfshi dhe RENEA-n shkuan në vendngjarjes për ta shpëtuar.
Por teksa u hasën me kundërshtinë e vajzës për të hapur derën dhe me dyshimet se aty mund të kishte persona të tjerë, RENEA ndërhyri me litarë nga tarraca e pallatit.
Në banesë u gjet vetëm vajza dhe askush tjetër. Edhe pse policia ka dyshime se aty ka pasur të tjerë persona që janë larguar para se uniformat blu të mbërrinin.
Por si qëndron e vërteta e dhunës së pretenduar nga vajza?
Para se ajo të telefononte sallën operative, agjentë civilë kishin shkuar për kontroll në banesën ngjitur, me dyshimet se aty kishte persona të armatosur.
E reja që në atë moment ka parë policët civilë, e frikësuar se dikush mund ta dhunonte ka kërkuar ndihmë, duke mbyllur më pas derën për të mos e hapur më.
Pasi policia ndërhyri në banesën ku e reja ndodhej, kreu kontroll edhe në shtëpinë përballë. Të dyja ishin marrë me qira nga i dashuri i vajzës, i shpallur tashmë në kërkim policor.
Në banesën ngjitur me atë që qëndronte e reja agjentët gjetën dy pistoleta si dhe mbetje kokaine.
Armët u dërguan në laborator për ekspertizë, ndërsa vajzës iu dha ndihma mjekësore, pasi ishte në gjendje të rënduar.
Babai i vajzës më herët e kishte denoncuar në polici se të bijën ia kishin rrëmbyer, por ajo vetë kishte deklaruar se ishte larguar me dëshirën e saj, dhe jetonte me të dashurin.
Të dyja këto versione po verifikohen nga hetuesit, njëherazi edhe pretendimet e familjarëve, se vajza vuante nga probleme të shëndetit mendor.