Një habitat i ri i teknologjisë dhe novacionit po merr formë në zemër të kryeqytetit shqiptar, te Piramida e Tiranës. Një ekosistem i kreativitetit që do të pasqyrojë kompleksitetin dhe harmoninë e një habitati natyral, ku “specie” të ndryshme bashkëjetojnë, evoluojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, duke krijuar një mjedis të ekuilibruar e dinamik.
Në Innovation Hub, ose Innovation HUBitat, çdo “specie” do të luajë një rol të rëndësishëm, të përshtatshëm për zhvillim, bashkëpunim e qëndrueshmëri.
Aty do t’i gjejmë të gjitha “krijesat”: “shtegtarët” digjitalë, plot vizion e kreativitet; “bishat” e guximshme dhe “agresive” të teknologjisë, IT-së, sipërmarrjes e risive; speciet inteligjente, të afta për t’u përshtatur me çdo lloj mjedisi a rrethane; “speciet” që ndoshta në dukje mund të jenë të vogla, por që falë aftësisë për të bashkëpunuar pa u lodhur e ndjerë mund të bëjnë gjëra të mëdha.
Habitati i teknologjisë dhe novacionit te Piramida e Tiranës po krijohet pak e nga pak dhe do të popullohet çdo ditë e më shumë nga “krijesa” të mrekullueshme dhe kjo sepse Innovation Hub është habitati natyral ku “speciet” më të rralla gjejnë kushtet ideale për t’u zhvilluar: jetojnë të lira, janë të mbrojtura dhe ushqehen me ide të freskëta e të guximshme.
Po ti, a je kureshtar të vizitosh këtë habitat në zemër të Tiranës?
Ose edhe të dish nëse mund të jesh vetë një “banor” i tij?
A je kurioz të zbulosh se çfarë specie je ti në habitatin e novacionit te Piramida e Tiranës?