Pasi Doktori i dërgoi Trumpit mesazh urimi në Facebook dhe në inbox, atij i erdhi një përgjigje automatike:
“Përshëndetje Sali Berisha. Faleminderit për urimin.
Zoti ju bekoftë. Donald Trump.”
Kur Muli e pa mesazhin, u çmend nga gëzimi.
-Pse nuk e publikojmë, i tha Lelos?
-Po është përgjigje automatike, ia ktheu Lelo.
-Po normal që automatike do jetë, tha Muli.
Trumpi e di që e ka mbështetës Doktorin dhe i përgjigjet automatikisht.
-Puna është se mund t’i kenë çuar gjithë shqiptarët nga një mesazh dhe kanë marrë një përgjigje si kjo, tha Lelo.
Dhe pastaj bëhemi qesharakë.
-Po si t’ia bëjmë, tha Muli?
Se unë s’e mbaj dot fshehur këtë sekret.
-Do hapim fjalë që Trump na ka kthyer përgjigje pozitive, tha Lelo.
Do ta lëmë si mister. Kështu na bën më shumë punë.
-Dakord jam, tha Muli.
Secili të japë nga një version sipas bisedës ku është.
-Pak a shumë kjo gjë duhet të ndodhë, tha Lelo.
Kështu krijojmë idenë që tani komunikimi është vendosur, përgjigjja ka ardhur dhe pritet data.
-Mirë do ishte më 20 shkurt, tha Muli, ditën e rrëzimit të Monumentit.
-Ja ta shikojmë, tha Lelo.
-Ose 22 mars, fitorja jonë e parë. Është dhe festa e Baba Mondit.
-Të shikojmë, tha Lelo, se nuk e kemi ne në dorë.
Rëndësi ka të hapim fjalë që punët janë mirë deri më 11 maj.
-Pastaj çfarë fat të kemi…, tha Muli.