Botues i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku u diskutua për idenë e Ramës për krijimin e shtetit bektashi.
Lesi tha se shteti i Baba Mondit, do të jetë kryesisht në funksion të rritjes së turizmit dhe si vend argëtimi.
“Shtetin e mendoj si vend turistik, që do vijnë shumë turistë, do të bëhet reklamë e madhe. Nuk do jetë si Vatikani. Do të jetë qytet-shtet pa dogana, do të ketë argëtim, jo si myslimanët radikalë dhe me shumë turistë. Kjo nuk është gjë e vogël.
Një njeri i njohur i mazhorancës, thotë që kjo gjë bëhet me prekje të Kushtetutës.
Këtë shtet do ta krijojë padiskutim Edi Rama, se si pastaj… Që nuk do të jetë si Vatikani e kam bindje, por do ta krijojë.
Rama e ka idenë më shumë te marketing ndërkombëtar, turizmi, paraja, të thotë solla turistë”, tha Lesi.
Ai deklaroi se Edi Rama është i vendosur që të bëjë shtetin bektashi, por ai do të bëjë me një status jashtë parlamentit, sepse nuk i ka 94 votat për ta votuar.
“Duke njohur Edi Ramën me këtë vendimmmarje jemi para një fakti të kryer, por statusi është i pakryer. Shteti i Vatikanit është krijuar si shtet në shkurt 1929 nga Mbretëria e Italisë. Unë pyeta disa juristë. Duhen 94 vota për ta votuar në Kuvend. Në këtë sens nuk ka si e ndryshon me Kushtetutë se shteti shqiptar është unik dhe i pandashëm.
Një jurist të PD-së e pyeta si do ta bëjë Rama pa vendim parlamenti. Ndoshta do të gjejë një status jashtë parlamentit. Rama do ta bëjë këtë e ka ndarë mendjen. Shtet si Vatikani nuk e bën dot”, tha Lesi.