Prokuroria e Tiranës është e vendosur për të thelluar hetimet për aferën e privatizimit të OSSH nga CEZ. Edhe pse po bëhet afërsisht një vit që kur juristi Romeo Kara dhe komisioni hetimor parlamentar dorëzuan nga një padi penale për ish-kryeministrin Sali Berisha, djalin e tij dhe disa ish-ministra, organi i akuzës është ende në kërkim të fakteve dhe provave. Gjatë kohës që në krye të prokurorisë ishte Adriatik Llalla, hetimet u pushuan, por ishte Gjykata e Tiranës ajo që detyroi prokurorinë të rihapë dosjen dhe ka përcaktuar shinat se ku duhet të ecin hetimet. Më 17 prill prokuroria kërkoi zgjatje me 3 muaj të hetimeve dhe më 17 korrik ky afat përfundon. Por Prokuroria e Tiranës ka dhënë sinjale se do të vijojë hetimet. Gazeta ju drejtua me një shkresë organit të akuzës për të mësuar se çfarë po ndodh me hetimet, duke qenë se janë në limite të afateve dhe prokuroria u shpreh se do të vijojë t’i qëndrojë zbatimit me rigorozitet të vendimit që ka dhënë Gjykata e Tiranës. “Lidhur kërkesën suaj, ju informojmë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 7340 date 19.09.2017. Ky procedim vazhdon të jetë ende në hetim dhe janë duke u kryer detyrat e përcaktuara nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë. Por nëse kthehemi pas në kohë, gjykata kërkoi thellim të hetimeve, kërkoi të merren në pyetje disa dëshmitarë dhe po ashtu të kërkohen informacione brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të thotë se do të ketë thellim të hetimeve. Nga ana tjetër gazeta ka mësuar jo zyrtarisht se prokuroria pritet që të kërkojë sërish zgjatje të hetimeve, kjo për shkak se është në pritje të kthimit të përgjigjeve për disa letër-porosi. Më kryesorja është një kërkesë e dërguar në Çeki, ku kërkon të dhëna nga shteti çek mbi kushtet e firmosje së kontratës mes qeveris shqiptare dhe drejtuesve të CEZ. Kjo përgjigje pritet të jetë dhe prova kryesore, duke qenë se dhe vetë shteti çek është duke kryer hetime për skandalet e CEZ. Po ashtu do pritet përgjigje nga Kosova dhe Franca nëse është gjetur vendndodhja e Nuel Kalajt, që është dëshmitari kyç i kësaj afere.
Zhdukja e dëshmitarit
Dëshmia e Nuel Kalaj
Arsyeja që prokuroria nuk po mbyll dot hetimet është sepse nuk gjendet Nuel Kalaj. Bëhet fjalë për sekserin, i cili afroi qeverinë “Berisha” me çekët e CEZ dhe sipas padisë, ai është personi që ka dijeni për të gjithë aferën. Vetë juristi Romeo Kara pak kohë më parë tha për gazetën se gjatë kohës që ishte Llalla në krye të prokurorisë, Kalaj nuk është marrë qëllimisht në pyetje. “Nuel Kalaj për vetë rolin si sekser, është personi kyç në këtë aferë, prandaj ustallarët e kësaj afere po bëjnë ç’të munden që të shmangin çdo dëshmi të tij. Mesa unë kam dijeni, sekseri Nuel, për sa kohë që prokuroria drejtohej nga Llalla, nuk ka pasur asnjë ngacmim, biles dyshoj që do të ketë marrë garanci të plota, pasi është shfaqur publikisht në Kosove duke marre pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare atje, në mbështetje të Ramush Haradinajt. Pra, nuk ka qenë fare e vështirë për të gjetur një Nuel, por nuk ka pasur vullnet të vërtete për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Nuel Kalaj prej vitesh ka edhe shtetësinë shqiptare dhe shteti ynë mund dhe duhet të përdorë mjetet e duhura për ta sjellë atë forcërisht në Shqipëri”, tha ai. Juristi deklaroi më tej se prokuroria duhet të arrestojë ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi sipas tij, vetëm kështu hetimet mund të vijojnë të pavarura. /Kliti Topalli