Pas sherrit që ndodhi ditën e sotme në Bashkinë e Dibrës, është arrestuar Ernolt Cani, zëvendëskryetari i këtij institucioni.
Cani është arrestuar nën akuzën për ‘Goditje për shkak të detyrës’, ndërkohë u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.B. Burime zyrtare nga policia e Dibrës bënë me dije se Cani dhe shtetasi me inicialet L.B., kanë goditur me sende të forta disa persona. Të njëjtat burime theksuan se personat e mësipërm goditën drejtorin e Burimeve Njerëzore në bashki, inspektorin e INUV, një specialist Auditi si dhe një polic bashkiak.
Për ngjarjen në fjalë foli paraditen e sotme kryetari i Bashkisë së Dibrës Muharrem Rama në një lidhje telefonike për ‘News24’ tregoi se si ndodhi sherri në këtë institucion. Rama tha se nga sherri kanë mbetur 4 persona të lënduar që ndodhen në spital me plagë në kokë. Ai tha se 30 persona, përfaqësues të PDIU-së kanë hyrë në bashki duke ushtruar dhunë.
“Rreth orës 9 nuk kisha shkuar ende në zyrë sepse kam ardhur në 12 të natës nga Tirana pas një takimi. Rreth orës 9 më njoftojnë që një grup rreth 20-30 vetash kanë shkuar tek zyra ime dhe këta janë përfaqësues të PDIU-së me në krye nënkryetarin e bashkisë, përfaqësues i PDIU-së Olti Cami dhe disa punonjës të punësuar nga PDIU që janë me performancë shumë të dobët në bashki.”, tha Muharrem Rama.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Sot, rreth orës 09:10, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër përmes një telefonate u njoftua se në ambientet e Bashkisë po ndodhte një konflikt mes disa personave. Menjëherë shkuan shërbimet e Policisë pranë Bashkisë Dibër dhe nga verifikimet paraprake dyshohet se disa punonjës të Bashkisë Dibër, të ndihmuar nga persona të jashtëm hynë nga dera e pasme e godinës dhe kanë goditur shefin e Burimeve Njerëzore të Bashkisë, shtetasin D.M. si dhe shtetasit: H.D., E.D, L.D. Të lënduarit po marrin trajtimin mjekësor në spitalin e Peshkopisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Dibrës ka identifikuar autorët e dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tyre. Për shkak të hetimit nuk mundet te bëhen me dije të dhëna të tjera. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.
vijon…