Bankat por dhe importuesit janë dy faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e kursit të këmbimit ditëve të fundit. Ekspertë të tregut rendisin këta dy faktor që ndikuan në këmbimit e 1 euro me mbi 100 lekë.
“Ka një tërheqje të eurove në treg nga disa institucione të cilat materializojnë fitimin e tyre dhe e transferojnë meqenëse një pjesë të madhe e kanë pasur në lekë dhe e kthejnë në euro. Njëkohësisht është dhe efekti i tërheqjes së eurove nga importuesit që funksionojnë me disa cikle në porositë e tyre nga ana tjetër dhe turizmi që ka ndikuar në masivitetin e eurove në këto muaj është në një zbehje”, thotë për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
Përtej faktorëve të cilët po ndikojnë direkt, sipas ekspertëve një paralajmërim i FMN për kursin e këmbimit, ka nxitur edhe efektin psikologjik tek operatorët në treg. “Ky është një paralajmërim gjithsesi operatorët ekonomik dhe monetar veprojnë me pritshmëri duke ndjerë që mund të ndodhi veprojnë sikur ka ndodhur”, thotë Civici.
Por a pritet të vazhdojë kjo tendencë e rritjes së euros? “Rritja është e lehtë ka 2-3 ditë që po ndodh nëse mendojmë që do ketë ndryshim kahu apo tendence nuk ka faktor strukturor të fuqishëm që të sjellë një frikësim të rritjes së kursit të këmbimit”, thotë Civici.
Ndër kategoritë që do t’i frikësoheshin një rritje të euros janë kryesisht individët që kanë pagat në euro por dhe ata të cilët kanë kredi në euro dhe të ardhurat në lekë të cilët do të duhet të paguajnë më shumë këstin e tyre mujor.