as kërcënimit me shkrirje nga Kuvendi, Këshilli Drejtues i RTSH-së u zbyth me turp nga finalizimi i projektit korruptiv për të zgjedhur Aurora Polon në krye të RTSH, në shkelje flagrante të ligjit. Si kurrë më parë, kundër katapultimit të një elektriçisteje partiake në krye të RTSH, u pozicionuan Partia Socialiste dhe Partia Demokratike që dominojnë Kuvendin, shumica e mediave në vend, vetë kreu i Këshillit Drejtues Leka Bungo, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri,
Asociacioni i Gazetarëve, SCIDEV-Center, Safe Journalists etj. Prapaskena sinjalizoi fillimisht përmes disa artikujsh planin korruptiv për emërimin e Aurora Polos në krye të RTSH, duke bllokuar me votë çdo kandidat që plotësonte kriteret.
Është e rëndësishme të theksohet se zonja Aurora Polo nuk ka asnjë lidhje me menaxhimin mediatik, informimin, gazetarinë. Aurora Polo u komandua drejtore e RTSH, pas dorëheqjes së Alfred Pezës, me vendim të Këshillit Drejtues më 24.7.2024, në shkelje flagrante të ligjit, pasi nuk plotësonte kriteret. Gjithashtu, Aurora Polo kandidoi dhe u kualifikua për drejtimin e RTSH në shkelje të ligjit, pasi nuk plotëson kriteret.
Statuti i RTSH ka përcaktuar qartë kriteret mbi të cilat duhet të bazohen anëtarët e Këshillit Drejtues për të zgjedhur drejtorin e RTSH. Neni 10, pika ç i statutit të RTSH parashikon që kandidati për drejtor i RTSH duhet: Të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet pozicione menaxhimi në media, institucione publike (jo administratë), sektori privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale.
Është një kriter i cili nuk përmbushet nga zonja Aurora Polo. Prapaskena publikon CV-në e plotë dhe zyrtare të Aurora Polos. E gjithë karriera e saj është e fokusuar në sektorin energjitik, humbjet në rrjet, tensioni i lartë, tela dhe kabuj, shpërndarje energjie, faturime etj. Është një sektor i rëndësishëm, por nuk ka lidhje me mediat.
CV
Karriera:
Dhjetor 2014 – Janar 2020: Përgjegjës i Sektorit të Tensionit të Ulët dhe të Mesëm, Drejtoria për llogaritjet e humbjeve dhe Departamenti i Bilancit të Matjes. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (Nën varësinë e Ministrisë së Energjitikës).
Korrik 2010 – Prill 2014: Specialist në Licencat dhe Koncesionet Energjetike
Sektori – Departamenti i Standardeve Energjetike. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Mars 2008 – Shtator 2009; Specialist në Departamentin e Shitjeve dhe Marketingut – Drejtoria e Përgjithshme, Albtelecom sh.a.
Nëntor 2006 – Mars 2008; Shef i Furnizimit me Energji në Departamentin Teknik – Drejtoria e Përgjithshme, Albtelecom sh.a.
Shkurt 1998 – Nëntor 2006; Shef i Furnizimit me Energji në Qarkun Tiranë 1,
Albtelecom sh.a.
Janar 2011 – Prill 2014; Anëtar i Task Forcës Mjedisore të Energjisë Komuniteti, Vjenë, Austri.
Trajnimet
▪ Organizimi i kursit të trajnimit për “Menaxhimi i të gjitha pajisjeve të furnizimit me energji elektrike” nga Alb Telekom sh.a.. Tiranë, Shqipëri 07 – 20 maj 2007
▪ Trajnim mbi “Metodologjinë e shitjeve të bazuara në pyetje” organizuar nga Alb telecom sh.a. në bashkëpunim me Universitetin “EPOKA”, Tiranë, Shqipëri 05 – 23 tetor 2009
▪ Trajnim mbi “Kornizën Ligjore” organizuar nga Instituti i Administratës Publike, Tiranë, Shqipëri 08 – 12 Mars 2010
▪ Trajnim mbi “Energjitë e rinovueshme” organizuar nga TAIEX (Komisioni Evropian), Vjenë, Austri. 16-22 korrik 2011.
Me këtë CV, anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH, tashmë Këshilli i Korrupsionit, kanë votuar dy herë për Aurora Polon, në shkelje të ligjit; Nr.24.7.2024 kur e komanduan drejtoreshë dhe 27.01.2025 kur e kualifikuan si kandidate për drejtuese të RTSH.
Si i korruptoi Aurora Polo anëtarët e Këshillit Drejtues
Anëtari i Këshillit Drejtues i RTSH, Edmond Tullumani, është prova e qartë për farsën, klientelizimin dhe paligjshmërinë e zgjedhjes së drejtorit të RTSH.
Siç e konfirmon ky dokument ekskluziv, Tullumani ka votuar për përjashtimin nga gara për drejtues të RTSH-së të tre kandidatëve që plotësojnë kriteret si dhe ka votuar për konfirmimin e dy kandidatëve, njëri nga të cilët është drejtoresha aktuale e komanduar Aurora Polo, e cila nuk plotëson kriteret.
Faktet tregojnë se arsyet janë qartësisht korruptive dhe klienteliste. Më konkrerisht, Aurora Polo ka emëruar dhëndrin e Edmond Tullumanit, Elton Metaj, shef kabineti të drejtorit të RTSH, pra të kabinetit të saj. Jo vetëm kaq, por dhëndri i Tullumanit është praktikisht (jo me letra) drejtor i informacionit në RTSH.
Vajza e Edmond Tullumanit, Romana Tullumani, ishte pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH, bashkë me Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku dhe Jonida Maliqi. Juria e Festivalit ngrihet me vendim të Drejtorit të Festivalit. Drejtori i Festivalit është drejtori i RTSH, pra Aurora Polo. Sipas rregullores, emërimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Jurisë së Festivalit bëhet me vendim të Drejtorit të Festivalit me propozimin e Drejtorit Artistik të Festivalit. Drejtori i Festivalit emërohet nga drejtori i RTSH, pra nga Aurora Polo.
Nuk vëmë në dyshim aftësitë e saj, por caktimi i Romana Tullumanit si pjesë e jurisë së festvalit është një qokë e Aurora Polos për babanë e Romanës, Edmond Tullumani. Në këmbim të këtyre interesave, Edmond Tullumani shpërdoron funksionin publik, duke mbështetur qorrazi me votë Aurora Polon për drejtuese të RTSH, në shkelje të ligjit.
Në RTSH e ka marrë rrogën edhe bashkëshortja e Edmond Tullumanit, Ranja Kovaçi. Zonja Kovaçi u shkarkua pasi nuk shkonte në punë, por qëndronte te çadra e Lulzim Bashës para Kryeministrisë në vitin 2017, duke kërkuar qeveri teknike dhe mbështetur Republikën e Re. “Ranja Kovaçi, arsyeja e zemërimit dhe shpërthimit tim të paraditshëm, që u largua padrejtësisht nga TVSH ditën e sotme…“, tha Basha në 4 mars 2017, në çadrën e Republikës së Re.
Në këtë formë, me fije interesash korruptive, Aurora Polo ka ‘lidhur’ edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues, të cilët me paligjshmërinë e tyre po provokojnë Kuvendin për t’i shkarkuar në bllok. Dikujt i ka dhënë një projekt, dikujt tjetër i ka punësuar familjarët në RTSH, me dikë tjetër, siç është Ilir Keko, ka bashkëpunuar kur ishin te Albafilm për të tjetërsuar pronat publike. Ilir Kekos i është premtuar edhe projekti për realizimin e një dokumentari për babain e tij.
Gëzim Podgoricën, anëtarin tjetër të këshillit e ka bërë pjesë të delegacionit të Festivalit Europian.
Vajzës së Milena Selimit, anëtares tjetër, i ka dhënë projekt në Radio.
Engjell Ndocajn e lejon të punojë privatisht në RTSH për të realizuar dokumentarë.
Dionis Papadhimitri, sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duhet t’i kthejë shtetit 30 mijë euro.