Kuvendi Kombëtar Rinor i Partisë Socialiste është mbajtur ditën e sotme në Tiranë, ku të rinjë të shumtë kanë folur për ‘të mirat’ e PS-së. Por gjatë fjalimeve një nxënëse e re nga Bilishti ka dalë jashtë parashikimeve dhe skenareve të bëra nga PS-ja.
Anastasia Zaimi teksa ka marrë fjalën e saj, ka kritikuar qeverinë Rama dhe Ministrinë e Arsimit në lidhje me politikat që kanë ndjekur për studentët. Gjatë fjalës së saj, e reja ka theksuar se lidhja mes shkollës së mesme, universitetit dhe tregut të punës është vite dritë larg në Shqipëri.
Ndërkohë që ky fjalim i të resë, nuk ka rënë pa u vënë re nga vetë Rama, i cili në një moment i kapur nga kamerat duket qartë i nervozuar. Por fjalimi i nxënëses nga Bilishti, i papërdorur politikisht ka nxjerr në pah se si është realiteti i vendit tonë.
“Arma më e fortë e një kombi janë arsimi dhe edukimi. Unë sot nuk vij si eksperte e arsimit, por di të them që ky i fundit ka kaluar nëe një fazë dinamike zhvillimit, duke nisur që nga struktura e përmirësuar, dhe deri tek reformat e thella në arsim. Por të gjitha këto nuk na bëjnë ne indiferentë ndaj problematikave.
Vura re që shumica prej bashkëfolësve sot janë studentë dhe më bëhet mirë që ata kanë kaluar pikërisht atë fazë që për mua përbën shqetësimin më të madh sot, zgjedhjes së universitetit dhe degës që unë dua të vazhdoj. A është tunduese dëshira për të ikur jashtë? Apo janë mangësitë e këtushme që i bëjnë studentët të mendojnë se mund ta gjëjnë vetveten vetëm jashtë kufijve?
Me keqardhje them se ura lidhëse midis arsimit të mesëm, universitetit dhe tregut të punës është e dobët. Kurrikula përfshin këshillimin e karrierës, por që realisht është tepër i vonuar, duke e bërë nxënësin të futet në një flluskë stresi dhe të ndjehet i kapur në grackë kur duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Kjo nuk duhet të jetë kështu. Arsimi dhe puna duhet të jenë të ndërlidhur dhe të harmonizuar me njëri-tjetrin dhe jo të ekzistojnë në dy universe paralele ku probabiliteti që ti të punësohesh për atë që ke studiuar të jetë 1 në 100. I rikthehem pyetjes që bëra:
A është tunduese dëshira për të ikur jashtë? Po. Por, ajo kurrë nuk është më e fortë se sa dëshira për të qëndruar aty ku ke rrënjët dhe pranë familjarëve të tu. Po pikërisht mangësitë e këtushme janë ato që e venitin tepër këtë ndjenjë.
Nuk mundet t’i mbani studentët me një urdhër, qëndro. Këta studentë kaq të zjarrtë, të cilët çdo ditë janë në kërkim të mundësive të reja për tu zhvilluar dhe për tu angazhuar. Ju, ne, meritojmë t’i gjejmë këto mundësi në Shqipëri. Në një vend ku pasioni dhe talenti shpërblehen. Ka ardhur koha që tu tregoni të rinjve se ata mund të bëjnë shumë. Por, ç’është më e rëndësishmja, mund të bëjnë shumë në Shqipëri,” tha ajo.