Nga Roland Bejko
Në kongresin e CDU-CSU sot në Gjermani, veç të tjerëve Berisha takoi dhe një politikan të moshuar, mik i afërt i Helmut Kohlit, ish- kancelar i Gjermanisë në vitet 90 të shekullit të kaluar.
-Fytyrë e parë jeni për mua, i tha Fritzi sa e pa.
-Poo, ia ktheu Berisha duke i shtrënguar dorën e djathtë, kam qenë president i Shqipërisë kur jemi takuar bashkë në kabinetin e kancelarit Kohl. Më pas, për tetë vite të tjera kam qenë edhe kryeministër.
– Aa, po, ia ktheu Fritzi- më kujtohet, më kujtohet, ndjesë për memorien e dobët, por kanë kaluar 34 vite që atëherë, mosha bën të vetën…. dhe vazhdoi me mirësjellje.
-A s’më thoni zotëri i nderuar, si po i kaloni këto vitet e pensionit? Besoj se ashtu si dhe unë jeni duke u marrë me shëtitjet në park të nipërve e mbesave tuaja. Unë vet, jam shumë i lumtur,- dëftonte Fritzi me fytyrën që i shkëlqente nga kënaqësia,- është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Po i shijoj shumë pasardhësit e mi. Janë pranvera e jetës sime të kapërcyer. Janë petalet me erën e trëndafilit të jetës. Ma kanë zbukuruar atë, më kanë rinuar. Më kanë rinuar…
Berisha, kur dëgjoi këto fjalë, mirë që s’i ra të fikët. Iu zu fryma, dhe në qafë filluan t’i bulëzonin ca pika të vogla djerse.
-Jo zotëri, i tha. E vlerësoj shumë sinqeritetin tuaj. Pensionimi mund të ketë kuptim për jue. Për mua koha ka mbetur në vend. Unë vazhdoj të jem kryetari i Partisë Demokratike, dhe lideri i opozitës, pretendent për kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë.
Fritzi shqeu sytë. Nuk po u besonte veshëve. Nuk ishte i sigurt nëse e kish dëgjuar drejt atë që sapo i tha bashkëbiseduesi atipik nga Shqipëria. Iu kujtua se që nga vitet 1990 dhe deri më sot numri i Kancelarëve e Presidentëve të Gjermanisë që ishin larguar nga detyra, madje dhe nga kjo jetë, ishte aq i madh sa nuk mbaheshin mend. Filloi t’i numëronte me vete… Kohli, ishte harruar. Shrëderi po ashtu. Po dhe Merkel që qëndroi më shumë se katër mandate në pushtet nuk po përmendej më tashmë…. po ky lugati, i tha vetes, çfarë bën akoma ky në politikë?!
Popuj të çuditshëm ballkansit. Kaq të mbaruar të jenë vallë?! Ende nuk janë në gjendje këta të gjenerojnë lidera e politikanë të rinj?! Akoma s’u ka mësuar gjë historia me diktatorë e diktatura që u kanë pirë gjakun e duke i sunduar për më tepër se gjysëm shekulli. Eh, dreq o punë. Me sa duket nuk u ka mbetur më pikë gjaku në vena…Ndërkohë që Doktori vazhdonte të fliste, Fritzi me bastun në dorë, po notonte në përsiatjet e tij mbi Ballkanin.
-Ballkani, kjo humbëtirë ku udhëheqësit ulen në sofrën e gostisë së pushtetit si demokratë, dhe largohen prej andej vetëm kur vdekja i tërheq zvarrë si tiranë…Për një çast, iu duk se aty në atë sallën madhështore, trazuar me njerëzit e shumtë, gjermanë e të huaj, iu shfaq në moment fantazma e Hamletit. Salla moderne plot drita që vezullonin në çdo cep e skutë, i ngjau pis e zezë, si njëra nga ato dhomat e lagështa të kështjellave mesjetare të tragjedive a komedive shekspiriane…Aq i hutuar u gjend në ato çaste Fritzi, saqë nuk po e ndante dot nëse i qe fanepsur vërtet Hamleti, apo ishte Mbreti Lakuriq që vraponte nëpër sallë për të përqafuar me përmallje manekinë politikë..?! Nejse…
-Bite, ( ju lutem), a mund të ma shuani një kuriozitet të thjeshtë zotëri… Më fal si e patët emrin?- e pyeti i përhumbur ish deputeti gjerman me emrin Fritz.
-Sali, Sali Berisha e ka, i tha në gjermanisht Tomori i Alizotasve.
-Aa, po, hern Zali, nuk më thoni, a s’u lodhët duke u marrë kaq gjatë me politikë?! Çfarë u ka mbetur pa bërë për vendin tuaj që besoni se mund ta realizoni tani, pra sot 36 vite pas rënies së Murit të Berlinit?!
-Jo zotëri, ia ktheu Saliu, me një zë kumbues që oshëtiu sikur doli nga zgërqet e një humnere të thellë, unë nuk lodhem kurrë. Jam misionar unë. Zoti më ka dërgue në tokën arbnore me një mision hyjnor. Ta çliroj atë popull nga kthetrat e narkoshtetit, nga kryehajduti Edi Rama dhe Lubi Balluku…! A e dëgjut ju zotëri ça tha Arben Ahmetaj për ta?! Me siguri nuk e keni dëgjue. Po ua them unë juve…
Dhe teksa ishte duke i shpjeguar me patos Fritzit misionin e tij në politikën shqiptare me sytë e ngulur tej në horizontin e sallës ku valëviteshin flamujt shumëngjyrësh të Kongresit, ktheu kokën majtas një çast për ta parë atë në sy, por…., fjala i ngeci në grykë. Në vend të Fritzit, sytë e lodhur i dalluan Albanën. Nga e djathta ishte Tomori. Vet Ai, midis tyre.
Fritzi u kish lënë shëndenë ndërkohë që Berisha sapo do t’i shpjegonte tezat e mosbindjes civile, ato të revolucionit që do rrëzojnë Ramën nga pushteti, dhe pensionet mbi 1000 euro që do bëhen realitet kur ai të vijë në pushtet. Keqardhjen më të madhe e pati që nuk mundi t’i fliste mikut të vjetër gjerman, i vetmi i mbetur gjallë akoma që nga koha e Kohlit, për organizatën kriminale me emrin SKAP i Partisë.
-Plak matuf, tha nëpër dhëmbë për Fritzin, dhe iu kthye Tomorit.-Flamur, kë do takojmë tani? Na gjej dikë që të bëjmë një foto me vlerë për mediat në Shqipëri.
-Është Tomori, Doktor, i tha Albana.
-Po, Tomori, ke të drejtë Floriana, ia ktheu vrik Doktori, dhe me hapin e tij karakteristik, mori për nga dera kryesore, ku me sa dukej një turmë e madhe njerëzish po shtrëngonin duart me njeriun e ditës, me atë që së shpejti mund të bëhet Kancelari i ri i Gjermanisë së madhe, lideri i Evropës. Ishte rasti më i mirë ky për një foto…
Kështu u mbyll sot një ditë e suksesshme takimesh në sallën madhështore të Kongresit Historik të CDU-CSU-së në Gjermani.