Nëse shqiptarët do të ishin sot para kutive të votimit, atëherë forca politike e cila do të udhëhiqte zgjedhjet do të ishte Partia Socialiste.
Ky fakt është evidentuar së fundmi në sondazhin e zhvilluar nga Euronews Albania ku socialistët do të fitonin me 40.5 % të votave, ndërkohë Sali Berisha me partinë e tij do t’i ndiqnin nga mbrapa me 24.9% të votave.
Zhgënjyes është rezultati i Partisë së Lirisë, e cila si duket e ka humbur “busullën” me kreun e vet në burg.
Vetëm 1.4 % e shqiptarëve thonë se vota e tyre do të shkonte për “Partinë e Lirisë” të Ilir Metës. Rezultat ky “shumë vite larg” asaj që mbështetësit e ish-presidentit pretendojnë për zgjedhjet e majit.
Jo më larg se katër ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike u shpreh optimist për zgjedhjet e majit.
Tedi Blushi tha se Partia e Lirisë më 11 Maj do të arrijë të njëjtin rezultat që LSI arriti në vitin 2017 duke siguruar në Kuvendin e Shqipërisë plot 19 vend.
“2025 do jetë si 2017, por bashkë me qarkun e Kukësit, komplet Shqipëria”, tha ai ndër të tjera.
Ndërkohë, le të ndalemi sërish te sondazhi i zhvilluar nga Euronews ku suprizë janë partitë e vogla të cilat në “luftë” me njëra-tjetrën po përpiqen të fitojnë besimin e shqiptarëve.
“Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, do të siguronte 6.4 % të votave, i ndjekur më pas nga Agron Shehaj me “Partia Mundësia” e cila do të merrte 3.1 % të votave.
Ndërkohë, 2.2 % e shqiptarëve do të votonin “Lëvizja Bashkë” të Arlind Qorit.