Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duron për akuzën “Shpërdorim detyre”. Të pafajshëm janë shpallur edhe katër zyrtarët e tjerë, konkretisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu, të cilët po ashtu akuzoheshin për shpërdorim detyre, në lidhje me licencimin e një karburanti. Sipas informacioneve, në seancën e sotme gjyqësore u bënë konkluzionet e mbrojtjes dhe në fund gjykata vendosi që të rrëzojë SPAK.
Më 5 shkurt, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg, si edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. SPAK kishte gjetur shkelje ligjore nga njësia Administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol”, sh.p.k., për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll. Prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.
Në kohën kur mbante detyrën e Administratorit të komanduar të Njësisë Qendër Bilisht, Vojsava Bregu mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, në 27 gusht të 2015 “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”, leje e cila sipas SPAK, ishte në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare me autorizimin për tregtimin e karburanteve. Autorizimi nga Duro është dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr. 970 dt. 2.12.2015 dhe në këtë kohë “Genci Petrol” sh.p.k. nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar.