Në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se Ukraina mund të bëhet “ruse një ditë”.
“Unë dua që paratë tona të jenë të sigurta, sepse po shpenzojmë qindra miliarda dollarë. Ata mund të arrijnë një marrëveshje, mund të mos arrijnë një marrëveshje. Mund të jenë rusë një ditë, mund të mos jenë rusë një ditë”, tha Trump.
Trump tha gjithashtu se dëshiron që Ukraina të shlyejë disi ndihmën amerikane, e cila sipas tij arrin në 300-350 miliardë përkundrejt rreth 100 miliardë nga Evropa.
“Unë u thashë atyre se dua toka të rralla me vlerë 500 miliardë dollarë dhe ata në thelb kanë rënë dakord ta bëjnë këtë,” tha ai.
“Unë u thashë atyre, ne duhet të marrim diçka. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i paguajmë këto para,” shtoi ai, teksa konfirmoi edhe vizitën e ardhshme në Kiev të të dërguarit të tij të posaçëm Keith Kellogg.
Ndërkohë sipas burimeve të cituara nga Reuters, administrata e re amerikane synon të bëjë presion ndaj aleatëve të saj evropianë që të blejnë armë amerikane për t’i dërguar në Ukrainë, në mënyrë që të përmirësojë pozicionin negociator të Kievit përpara bisedimeve me Moskën.