Ruajtja e parimeve është thelbësore për drejtësinë – këtë deklaroi dje Këshilli i Pavarur i Prokurorisë, “qeveria e prokurorëve” dhe kërkoi “të respektohet pavarësia e prokurorëve”. KLGJ, “qeveria e gjyqtarëve”, kërkoi të njëjtën gjë duke pasur parasysh deklaratat e zjarrta të kryeministrit, aludimet për anësi të medias, irritimin e krahut politik që u godit me burgosjen e Erion Veliajt.
A duhet sulmuar SPAK kur heton, burgos, diskrediton me publikim dosjesh një politikan, një kryebashkiak, një lider opozite, një kryeministër apo një ish-kryeministër? – Jo!
A duhet sulmuar media nëse merr shkas nga një “kryevepër” hetimore për të zbuluar kush është talenti, “violina” e parë e saj? – Përsëri jo!
Nesti Angoni është autori i një letre anonime që SPAK e mori në shkurt 2023, e bëri fije-fije duke e kthyer në akuzë të rëndë një vit më pas.
Le të jetë “Resti Angoni” një tjetër denoncues për SPAK. Denoncohet një prokuror, Ols Milto Dado.
Në shkelje të çdo kriteri ligjor, Ols Dado, emërohet PROKUROR në 21.11.2008, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Emërimi dhe dekretimi i tij u bë nga Presidenti Bamir Topi, me propozim të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.
Si u emërua një PROKUROR I REPUBLIKËS jashtë çdo kriteri ligjor? Me para, me taraf politik? Me marrëdhënie jashtëmartesore? Mund të aludohet për të tria versionet, por deri tani nuk ka fakte.
CV-ja e Ols Dados është fakti, prova, “bizhuteria” që tregon shkeljen e ligjit me të dyja këmbët nga një tufë juristësh që sot janë në vende të ngrohta të qeverive të pushtetit të drejtësisë.
I biri i Milto Dados, një i përndjekur i regjimit komunist, është rritur në Durrës. Genc Koka, një pinjoll familjeje zogiste, tregon nga SHBA për historinë e grupit të shokëve të tij të gjimnazit të Tiranës, ku bënin pjesë Amik Kasaruho, Vasil Melo, Emil Totozani, Triumf Nepravishta, Milto Dado dhe Qemal Jusufati, të cilët u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit pasi shtypën disa trakte. Milto Dado nuk bëri asnjë ditë burg sepse ‘tregoi’ shokët, por u rrit me urrejtje për regjimin hoxhist derisa erdhi demokracia dhe u hodh natyrshëm në pushtetin e ri të Partisë Demokratike, si ish-i përndjekur. Milto Dado është një nga noterët e parë në Shqipëri, shpërblim nga presidenti Berisha. Djali i tij, Ols Dado, pa asnjë mesatare shkolle, u pranua në Fakultetin Juridik me listat e të përndjekurve të PD-së në vitin 1991. Në një kurs me Argita Berishën, Sokol Olldashin, Ina Ramën, përfundoi pa lavdi fakultetin juridik dhe u diplomua “jurist”.
Çfarë punësh, karriere bëri Ols Dado pas diplomimit?
● 16.12.1995 – 15.2.1996, punonjës pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Emërimi i bëhet nga Engjëll Dakli, ish-ministër i PD-së. Në atë kohë kjo ministri kishte emërtimin: Ministria e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë.
● 16.2.1996 – 10.9.1996, punonjës pranë “A.M.C” sh.a. Kompania (AMC) krijohet në nëntor 1995 dhe Ols Dado filloi punë si operator celulari me ndihmën e shokut të babait, Aleksandër Meksi.
● 29.1.1997 – 8.11.2000, punonjës pranë Bashkisë Durrës. Emërimin si specialist në këtë bashki e bën Arqile Gorea i PD-së.
● 9.11.2000 – 30.6.2003, nuk punoi. U mbajt pa deklarime me të ardhurat e babait, Milto Dado (noter) dhe bashkëshortes Gentiana Bardhoka (notere).
● 1.7.2003 – 29.9.2005, punonjës në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Emëruar nga Kryekomisionerja e Komisionit Shqiptar të Letrave me Vlerë, Elisabeta Gjonaj.
● 2005 – 2008, bëhet noter pa konkurrim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado.
Si u emërua prokuror Ols Dado?
Pa asnjë eksperiencë në fushën e hetimit, me eksperienca të copëtuara jashtë fushës së drejtësisë, Ols Dado, më 21.11.2008, emërohet PROKUROR në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Dekreti i emërimit u firmos nga Bamir Topi, ndërsa propozimi u bë nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Një grup prokurorësh në Prokurorinë e Përgjithshme (këshilli), që analizuan CV-në dhe kërkesën e Ols Dados pasi eliminuan disa kandidatë me kritere të sakta, kaluan propozimin për emërimin e Dados te Ina Rama, duke mbyllur sytë dhe shkelur ligjin me të dyja këmbët.
Procedura e emërimit të një prokurori në vitin 2008 bazohej në ligjin nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Kriteret që duhej të plotësonte një prokuror gjendeshin në këtë ligj në nenet 17 dhe 18:
Neni 17
Kushte të përgjithshme
Emërohet prokuror në njërën nga prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë, personi që
plotëson këto kushte:
• është shtetas shqiptar;
• ka zotësi të plotë për të vepruar;
• ka arsim të lartë juridik;
• ç) ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
• d) nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
• dh) nuk është larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike brenda një afati prej tre vjetësh nga data e depozitimit të kërkesës; kur shkelja disiplinore është kryer gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtar, prokuror, oficer i policisë, noter ose avokat, afati është pesë vjet; është jo më pak se 25 vjeç.
Neni 18
Kushte të veçanta
Mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nëse përmbush kriteret e tjera të përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji dhe njërin prej kushteve të mëposhtme:
a) ka punuar gjyqtar ose prokuror;
b) ka punuar, jo më pak se tre vjet, pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, pranëPresidentit, në Këshillin e Ministrave, në Gjykatën e Lartë, në Ministrinë e Drejtësisë, pranë Zyrës së Avokatit të Popullit ose deputet me arsim të lartë juridik, si dhe oficer në policinë gjyqësore.
Përse u anashkalua e gjithë procedura e emërimit për Ols Dadon kur ai nuk kishte asnjë kriter për t’u emëruar prokuror?
Disa punë sporadike pa peshë për hatër të babait (noter) dhe dy vjet të çalë si noter zëvendës I babait, koleg me gruan e tij, e bënë Ina Ramën, shoqen e klasës dhe të qytetit Durrës, ta emërojë prokuror. Falsifikimi i një CV-je të një prokurori që nuk plotëson asnjë kusht apo kriter për të qenë i tillë, është vepër penale që ngarkon me faj personat që janë marrë me procedurën e emërimit të tij, filluar nga Prokuroria e Përgjithshme, përfunduar në Presidencë, e më pas të të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë.
Karriera e gënjeshtërt e Ols Dados mori një drejtim të lakmueshëm për shumë juristë të aftë e të skualifikuar, që lanë Shqipërinë për mungesë vendesh në Prokurori.
Nga Pogradeci, ku bëri “stazhin”, Ols Dado u transferua nga mikja e tij në 2010 në Prokurorinë e Tiranës. Për 10 vjet, Dado stërvitet të bëjë prokurorin, ndërsa në vitin 2020 transferohet në Prokurorinë e Përgjithshme, përsëri nga ndërhyrja e mikeshës së vjetër (“Silvia Konti”), e cila tashmë kishte bërë karrierë në Komisionin e Pavarur të Apelimit. Pas disa viteve në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe pasi kaloi pa asnjë problem vettingun në 3.11.2022, Dado përzgjidhet me një proces konkurrimi të përfolur si prokuror i SPAK. Noteri Ols Dado bëhet prokuror special më 7.3.2024 dhe merr menjëherë në duar dosjen e denoncuesit Nesti Angoni, që ishte regjistruar në korik 2023.
Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, me trupën: Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe relatoren Genta Tafa Bungo, e pikasi faktin se Ols Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008, por nuk e “pa” këtë fakt. KPK mbylli sytë për Ols Dadon, ashtu si Ina Rama i mbylli sytë më pas për tre vendime të Sanxhaktarit dhe dy të Genta Bungos. Nderi lahet me nder.
Ols Dado, me një karrierë të “dhuruar”, i sistemuar tashmë, më shumë sesa të mësonte profesionin e hetuesit, u mor me biznes dhe argëtim. Pasi “sistemoi” letrat e një trualli që gjendet në Rrugën e Bogdaneve në Tiranë, të trashëguar nga i ati që ndërroi jetë, u bë “aplikant” si pronar me ¼ e truallit ku u ngrit një pallat 9-katësh. Në vitin 2021, firma ALB EDIL mori lejen nga Bashkia Tiranë dhe objekti 9-katësh përfundoi në vitin 2024. Ols Dado merr nga ky ndërtim dy apartamente dhe një garazh në vlerën 600 mijë euro. Por “noteri” filloi të interesohet edhe për ndërtime të tjera në pika nevralgjike të Tiranës. Dëshmi për këto dëshira shumëmilionëshe japin disa ndërtues dhe njëbashkiak.
Argëtimi i bashkëshortit të noteres Gentiana Bardhoka, nuk përputhej me moshën e njëjtë të çiftit. Ndaj ky u divorcua nga kjo e fundit para se të mbushte 50 vjeç. Me noteren Bardhoka, “noteri” Dado ka një djalë (Kris Dado). Përveç bashkëshortes së mplakur “noteri” harroi edhe favoret e shoqes prokurore të së njëjtës moshë. Tani ai donte shoqe të reja.
Në rrethet e prokurorëve flitet për aventurat e “noterit” Dado me disa magjistrate të reja.
Karriera e Ols Dados dhe figura e tij në kompleks nuk mund të mos jenë në fokusin e medias, për sa kohë ky prokuror po bën revolucionin e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Po sjell drejtësi në Shqipëri. Po ndëshkon të pandëshkueshmit.
Të dhënat e para ravijëzojnë profilin e një heroi të rremë por edhe të një bisnesmeni qejfli, në sukses e sipër. Të dhënat e dyta mbeten për t’u parë.
Një pyetje rrjedh nga të provat e publikuara. Një pyetje që shkon për veshët Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, për drejtuesin e SPAK, për drejtuesin e ILD-së, për KLP e për “Vajzat” që bënë vettingun e Ols Dados:
A i keni parë të dhënat e karrierës së tij përpara se të bëhej prokuror, milioner dhe më pas hero i fëmijëve tanë?