SPANJË – La Liga zhvilloi këtë të shtunë disa nga ndeshjet e raundit të 24-t. Me fillim nga ora 16:15 Osasuna ndali në barazim 1-1 Real Madridin duke bërë që kreu i renditjes të jetë më shumë se i lakmuar. Atletico Madrid s’përfitoi dhe u ndal 1-1, teksa Barcelona ka shanse që të hënë të rigjejë kreun nëse fiton kundër Vallecanos.
Në “El Sadar” Osasuna vendase bëri befasinë dhe ndali 1-1 Real Madridin. Duket se “Galaktikët” u ‘dehën’ nga mesjava kur përmbysën 2-3 Man. Cityn në Champions dhe bënë një hap fatal në garën për titullin.
Mbappe në minutën e 15-të kaloi në epërsi të besuarit e Ancelottit, para se Bellingham ta katranoste në fundin e pjesës së parë dhe të linte Realin me dhjetë lojtarë në fushë. Osasuna përfitoi dhe në pjesën e dytë barazoi me penalltinë e kthyer në gol nga Ante Budimir.
Real Madrid me 51 pikë ndodhet për momentin në vendin e parë, ndjekur nga Atletico Madrid. Ndërkohë që Barça dëshiron tri pikë të hënën kundër Vallecanos për të marrë vendin e parë në La Liga.
Trajneri i “Galaktikëve”, Carlo Ancelotti nuk ishte në gjendje të përmbante tërbimin në intervistat pas ndeshjes. I pyetur për mundësinë që të marrë drejtimin e ndonjë klubi në Arabinë Saudite, trajneri italian nuk e përjashtoi këtë gjë.
“Pse jo? Nëse dua të qëndroj në futboll, pse jo? Situata e Arabisë Saudite në futboll nuk duhet të jetë befasi për njerëzit”, tha ai.
Në ‘Metropolitano’ vendasit e Atletico Madrid nuk përfituan për të marrë kreun e renditjes, duke u ndalur 1-1 nga Celta Vigo. Ishte Iago Aspas që gjeti golin për miqtë nga penalltia, ndërsa tetë minuta nga fundi barazoi Sorloth. Atletico vijon të mbajë vendin e dytë.
La Liga, raundi 24:
E shtunë, 15 shkurt 2025
14:00 Leganes 3-3 Alaves
16:15 Osasuna 1-1 Real Madrid
18:30 Atletico Madrid 1-1 Celta Vigo
21:00 Villarreal 1-1 Valencia