Reshjet e dendura të borës në zonën e Fanit në Mirditë, kanë krijuar vështirësi në qarkullim, duke sjellë probleme edhe në Rrugën e Kombit.
Janë shënuar 3 aksidente në segmentin Thirr-Fan-Reps të Rrugës së Kombit. Kompania Salillari që mirëmban këtë segment, është gjetur e papërgatitur. Në orët e para të mëngjesit janë shënuar dy aksidente zinxhirë, ndërsa në daljen e fshatit Fan një mjet tjetër ka dalë nga rruga. Aksidentet fatmirësisht janë me vetëm me dëme materiale.
Trashësia e borës arriti në disa centimetra, ndërsa rrëshqitja e një kamioni ka shkaktuar bllokimin e këtij aksi rrugor. Mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin e normalitetit në qarkullim.
Reshjet e borës janë prezente në të gjitha akset nacionale e rurale, drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të ulin shpejtësinë dhe të jenë të pajisura me mjete dimërore.