Ndonëse deklarata e tij, e bërë në pragun e SPAK, një ditë më parë, se me ardhjen në pushtet do të shkrinte institucionin e drejtësisë së re pati reagime të shumta, Sali Berisha nuk tërhiqet nga qëndrimi për të zhbërë institucionin që po e heton dhe e ka marrë të pandehur për aferën ‘Partizani’.
“Qëndrimi i PD është shteti ligjor, shteti ligjor dhe mbi të gjitha, shteti ligjor. Për PD shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Është kushti i të gjitha kushteve për realizimin me sukses të të gjithë programit të saj.
Në këtë kontekst unë besoj fort tek shqiptarët, se një prokurori që arreston 3 liderët politikë, të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera”, tha Berisha.
Kritikave të kryeministrit Edi Rama, i cili e quan buf kënete, Berisha iu përgjigj duke e quajtur zog sqep këpucë.
“Lexoni pak për zogun sqep-këpucë. Ai zog ka një veti, ai zog ha zogjtë e tij. Kaq është, t’i biem shkurt. Zogu sqepkëpucë ushqehet me zogjtë e tij”, tha Berisha.