Presidenti amerikan, Donald Trump ka komentuar bisedimet me Rusinë në Riad për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Nga rezidenca e tij Mar-a-Lago, Trump tha për gazetarët se bisedimet shkuan shumë mirë.
I pyetur nëse ndihet më i sigurt për një marrëveshje pas bisedimeve midis Marco Rubios dhe Sergei Lavrov, Trump u shpreh: “Shumë më i sigurt. Ishin shumë të mira.”
Ukraina është përjashtuar nga bisedimet dhe presidenti Volodymyr Zelensky shtyu udhëtimin e tij në Arabinë Saudite, të planifikuar për të mërkurën. Trump tha se ishte i ‘zhgënjyer’ nga ‘protesta’ e Zelesnkyt. Madje, ai tha se “Ukraina nuk duhej ta kishte nisur kurrë luftën.”
“Jam shumë i zhgënjyer. Kam dëgjuar që janë të pakënaqur që nuk kanë një vend në tryezë. Por ata e kanë pasur një vend për tre vjet dhe shumë më gjatë se kaq. Kjo mund të ishte zgjidhur fare lehtë.”
I pyetur nëse mbështet vendosjen e trupave paqeruajtëse europiane në Ukrainë si pjesë e marrëveshjes së paqes, Trump u përgjigj: “Jam plotësisht dakord. Nëse ata duan ta bëjnë, do të ishte në rregull.”
Ndërkohë, pas bisedimeve sekretari amerikan i Shtetit, Marcio Rubio ka zhvilluar biseda me homologët e tij në Britani, Francë, Itali dhe Gjermani, plus përfaqësuesen e BE-së Kaja Kallas. Kjo e fundit në një reagim në platformën ‘X’, shkroi se Putin po përpiqet t’i ndajë dhe nuk duhet të bien në grackën e tyre.
“Së bashku me ministrat e jashtëm evropianë, fola me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio pas bisedimeve të tij në Riad. Rusia do të përpiqet të na ndajë. Të mos biem në grackat e tyre. Duke punuar me Shtetet e Bashkuara, ne mund të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, sipas kushteve të Ukrainës”, shkruan Kallas.
Takimi SHBA-Rusi në Arabinë Saudite midis Marco Rubios dhe Sergei Lavrov u cilësua pozitiv nga të dyja shtetet. DASH thotë se u gjet dakordësia për nisjen e negociatave për paqen në ukrainë për të cilat do formohen delegacione të nivelit të lartë dhe gjithashtu për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Rusi. Marco Rubio thotë se edhe BE duhet të jetë pjesë e negociatave të paqes.