Avokati Idajet Beqiri mendon se presidenti Donald Trump ka trazuar botën dhe kjo ka ndikuar edhe Shqipërinë, por gjithashtu shprehu bindjen se amerikanët nuk e kanë braktisur SPAK dhe vendin tonë. Në lidhje me mospërfshirjen e ambasadës së SHBA në deklaratën që u bë nga GJKKO ndaj sulmeve të institucionit, pas arrestimit të Erion Veliajt, si dhe grumbullimin e mbështetësve të kryebashkliakut te institucioni gjatë masës së sigurisë, avokati kujtoi një detaj interesant.
Gjyqtari i çështjes është edhe drejtues i GJKKO-së aktualisht. Beqiri tha se Erion Bani është një gjyqtar politik dhe ka menduar në radhë të parë për partinë kur nuk ka përfshirë ambasadën e SHBA dhe të Britanisë së Madhe, sepse shtetet e tyre kanë shpallur “non grata” Sali Berishën.
“Donald Trump e ka trubulluar shumë botën, sa ka bërë edhe liderët e Europës të flasin me vete dhe thërrasin samite. Reflektime do ketë edhe tek ne në Shqipëri, patjetër. Ne nuk duhet t’i marrim seriozisht deklaratat e tanëve këtu, edhe këtë të Gjykatës së Shkallës së parë të GJKKO, që të heqi një ambasadë apo të shtojë një tjetër në deklaratë. Kryetari i GJKKO nuk është i pavarur, është i politizuar, shikon partitë dhe jo detyrën, ai është edhe gjyqtari edhe drejtuesi i GJKKO, e pret një gjë të tillë, nuk ia dërgon ambasadës së SHBA edhe Britanisë, se mendon se ka shpallur non grata Sali Berishën. Kurse BE-së ia çon ai se jemi vend që do hyjmë në BE”, thotë avokati.