Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kukës, ku një përplasje mes dy personave ka përfunduar me të shtëna armësh dhe plagosjen e një 29-vjeçari.
Ngjarja nisi si një debat pranë stacionit të transportit të udhëtarëve në Kukës dhe më pas u zhvendos deri në fshatin Bicaj, rreth 11 km larg qytetit.
Për pasojë mbeti i plagosur me armë zjarri 29 vjeçari Elvis Halilaj.
Policia ka identifikuar edhe autorin e plagosjes, i cili rezulton të jetë shtetasi Zenel Muçmata.
Euronews Albania raporton se i plagosuri është kushëri i kryetarit të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, ndërsa autori mban postin e drejtorit në Bashkinë e Kukësit.
Dyshohet se konflikti nisi për motive të dobëta dhe përshkallëzoi deri në dhunë fizike, çka bëri që autori ta ndjekë Albert Halilajn me makinë deri në vendin ku ndodhi sulmi me armë.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spitalin e Kukësit, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu janë shoqëruar disa persona me mbiemër Halilaj dhe Muçmata në polici.
Ndërkohë, autori është larguar nga vendngjarja dhe po kërkohet nga policia. Një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Rreth orës 14:20, në spitalin e Kukësit, është paraqitur shtetasi Elvis Halili, rreth 29 vjeç, banues në fshatin Bicaj, dyshohet i plagosur me armë zjarri, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas është plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti për motive të dobëta me një shtetas tjetër, i cili është identifikuar nga Policia, por gjeneralitetet e tij nuk bëhen me dije për momentin, për shkak të hetimit.
Është ngritur grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë Kukës po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti“, njoftoi me herët policia.”