Që të hapen negociatat nuk duhet vetëm që Shqipëria të vazhdojë tempin e reformave, por të mbyllë edhe rrugën e re të emigracionit ilegal drejt BE. Kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk u takua me Edi Ramën në Bruksel.
Kushtet janë të qarta. Brukseli kërkon në tre drejtime kryesore rezultate të qëndrueshme deri në qershor 2019 që të hapë me Shqipërinë negociatat e pranimit në BE: përfundimi i reformave; zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë; mbyllja e rrugës së re të emigracionit ilegal drejt Shqipërisë. Koha nuk pret për të dyja palët, Shqipërinë dhe BE. Në këtë kontekst, të premten, (13.07.2018), Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn zhvilluan takime në Bruksel me kryeministrin Rama, ku vunë pikat mbi ”i” për fillimin e punës një orë e më parë.
Në një njoftim për shtyp nga Kryeministria në Tiranë, Presidenti Tusk citohet të ketë thënë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Rama: “Nuk kam dyshime që, nëse Shqipëria do të vazhdojë me këtë temp reformash, do të jetë në gjendje që të arrijë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm. Përpjekjet e Shqipërisë për të sheshuar divergjencat me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimin e saj ndaj BE-së dhe ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kemi rënë dakord për rritjen e përpjekjeve lidhur me mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal në Shqipëri.”
Tusk: Shqipëria – mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin
Shqipëria është vlerësuar për qëndrimin e saj ndaj ҫështjes së nxehtë të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut drejt BE. Në vijim të këtij vlerësimi Brukseli ka shtuar një kusht për Shqipërinë: mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal nga këto vende në Shqipëri për të synuar më pas BE. “Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin, ku kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Sot (13.07.2018) ramë dakort për nevojën për rritjen e përpjekjeve për të mbyllur rrugën e re të emigracionit illegal në Shqipëri.
Koha e limituar dhe situata politike në vend janë 2 sfidat kryesore që Shqipëria duhet të përballojë që të ketë sukses në qershor 2019. Opozita e quan qeverinë Rama “qeveri të drogës dhe narko-trafikut” dhe kërkon rrëzimin e saj. Presidenti Tusk thekson përsëri mesazhin e njohur të BE që palët duhet të bëhen bashkë, për ҫështje me rëndësi kombëtare, si hyrja e Shqipërisë në BE, që përkrahet nga mbi 90% e shqiptarëve, Ai citohet të ketë thënë të shtunën se është shpresa dhe dëshira e tij që „të gjitha forcat politike pro perëndimore në Shqipëri të punojnë drejt të njëjtit qëllim”.
Hahn: KE fillon së shpejti “screening” lidhur me stadin aktual të reformave në Shqipëri
Puna përgatitore për hapjen e negociatave nuk kërkon vetëm bashkëpunimin e forcave politike pro-perëndimore. Ajo presupozon një punë të madhe, gjithëpërfshirëse në aspektin teknik për të skanuar se ҫfarë është arritur dhe ҫfarë duhet arritur në të gjitha drejtimet që përfshihen në 35 kapitujt e hapjes së negociatave. Dhe këtu hyn në lojë shpejt, pa humbur kohë Komisioni Europian, (KE). “Do të mbërrij në Tiranë të enjten e ardhshme. Kemi rënë dakord që ekipet tona të fillojnë punën menjëherë, përpara pushimeve të verës, për të punuar në të gjitha drejtimet, që të garantohet një analizë e qartë, e plotë mbi situatën” citohet të ketë thënë Komisioneri Hahn, në konferencën e përbashket për shtyp me kryeministrin Rama në Bruksel.
Puna konkrete fillon: Johannes Hahn të enjten e ardhshme në Tiranë
Pritshmëritë janë progresi në reformën në drejtësi, vazhdimi i Vetting-ut, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, në përputhje me reformën kushtetuese, të miratuar në mënyrë unanime nga Parlamenti, dy vjet më parë, në korrik 2016. Pa lënë jashtë vëmendjes “luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet; reduktimin e fenomenit të azilkërkuesve shqiptarë në BE” theksoi komisioneri Hahn..
Këshilli i Europës- Progres kundër korrupsionit por ende shumë për të bërë
Shqipëria duhet t’i raportojë edhe Këshillit të Europës, nëse ia kaplotësuar apo jo rekomandimet e tij për luftëm kundër korrupsionit. GRECO (Groupe d’Etats contre la corruption) – Grupi i shteteve kundër korrupsionit), një grup ndërqeveritar i ngritur nën kujdesin e Këshillit të Europës, për të parë në mënyrë kritike masat që anëtarët e tij marrin për të luftuar korrupsionin, në raportin e publikuar ditët e fundit pranon përparimin e Shqipërisë në zbatimin e rekomandimeve për të parandaluar korrupsionin tek parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët. Por vëren se “duhen përfunduar reformat”. Nga 10 rekomandime të GRECO-s, Shqipëria ka plotësuar vetëm katër. GRECO u kërkon autoriteteve shqiptare që deri në 31 mars 2019, të japin një përditësim të progresit në zbatimin e 6 rekomandimeve të mbetura. DW