Rënia e shtetit në duart e klanit Balluku
Në 3 tetor 2021 shpërtheu skandali ndërkombëtar i Pandora Papers, ku miliona dokumente sekrete të zbuluara nga Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative ekspozuan sekretet financiare për 35 drejtues dhe ish-drejtues politikë botërorë. Më shumë se 330 politikanë dhe zyrtarë publikë, si dhe një grup global të arratisurish, mashtruesish dhe vrasësish përfunduan në faqet e mediave ndërkombëtare.
Ky skandal evidentoi se shumë nga njerëzit e fuqishëm që mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund sistemit offshore, janë pikërisht ata që përfitojnë më shumë nga ky sistem duke fshehur asetet nëpërmjet kompanive private, ndërkohë që qeveritë e tyre bëjnë shumë pak për të ngadalësuar rrjedhjen globale të parave që pasurojnë kriminelët dhe varfërojnë kombet.
Shqipëria kishte disa biznesmenë të përfshirë në skandalin e Pandora Papers, por deri më sot nuk është zbuluar asnjë politikan shqiptar në këto lista. Megjithatë kërkimet e thelluara të “Vetting” provojnë se zv.ministra rezultojnë me pasuri të fshehura jashtë vendit.
Për herë të parë “Vetting” zbulon aferat në nivelet më të larta të qeverisjes, që kanë përfshirë zv.kryeministren Belinda Balluku, stafin e saj më të ngushtë ku familjarë të zv.ministrit të Infrastrukturës dhe drejtorë nën varësinë e Ballukut janë të implikuar në tendera publika dhe kompani me skema offshore. Madje familjarë të drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres rezultojnë ortakë me kompani që marrin fonde publike nga buxheti i shtetit, që ngrenë dyshime të forta për afera korruptive pasi kemi konflikt interesi.
Për zv.kryeministren Balluku ka disa padi nga opozita e vendit për Portin e Durrësit, për sektorin e energjisë, dy hetime nga SPAK për koncesionin e bazës ushtarake në Sarandë dhe tunelin e Llogarasë, ku shkeljet për këtë të fundit janë denoncuar nga emisioni “Vetting” në prill 2024.
Teksa ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj u vendos nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pasi iu ekspozuan njohjet me biznesmenët e inceneratorëve për shkak të një aksidenti me makinën që po udhëtonte në Maqedoninë e Veriut, për zv.kryeministren Balluku ka një mjegull, e cila të krijon përshtypjen e qetësisë përpara stuhisë.
Rindërtimi dhe përjashtimi nga TVSH-ja për Kozelin
Zv.ministri i Infrastrukturës Kozeli nuk ka probleme vetëm me rastin e vëllait, por probleme që lidhen edhe me Rindërtimin. Në 13 shkurt 2020, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr.143 do të miratonte listën e subjekteve, të cilat përjashtoheshin nga TVSH-ja në kuadër të programit të Rindërtimit. Pra, kompanitë që kishin projekte publike që lidheshin me Rindërtimin nuk do të paguanin TVSH-në, si edhe kompanitë që do të ndërtonin projekte të lidhura me Rindërtimin, që financoheshin nga donatorë të huaj drejtpërdrejt.
Më 30 shtator 2020, Këshilli i Ministrave do të shtonte edhe një kategori tjetër përfituesish, që ishin kompanitë nënkonktraktore të përfshira në programin e Rindërtimit dhe furnizuesit e mallrave për këtë proces. Në listën e kompanive të publikuara nga tatimet, të cilat kanë përfituar nga TVSH-ja gjendet edhe kompania “EUR0-GUAINA” ish Manti shpk, në pronësi të Agim Kozelit, babai i zv.ministrit të Infrastrukturës Ami Kozeli. Sipas avokatit Arben Llangozi, këtu kemi të bëjmë me të njëjtin problem sepse kemi të bëjmë me veprime korruptive pasi dyshohet se zv.ministri ka favorizuar babanë e vet, për ti dhënë prokurime apo për ti dhënë tendera, për të përfituar nga buxheti i shtetit.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2003 nga shtetasi italian Lorenzo Recchetti, Agim Kozeli dhe Artur Kozeli. Në 2006 ortak kalon Ami Kozeli, i cili ia rishet këto aksione babait të vet në vitin 2014.
Nga të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se kjo kompani është përjashtuar 4 herë nga pagesa e TVSH-së si nënkontraktor ose furnizues i kompanive që kanë realizuar projekte nga Rindërtimi.”
Në këtë rast Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë autorizime për kompaninë “EURO-GUAINA” për përjashtim nga TVSH-ja, në 17 shtator 2021, në 13 korrik, 16 shtator dhe në 4 tetor të vitit 2022.
Sipas avokatit Arben Llangozi, këtu kemi të bëjmë me të njëjtin problem sepse kemi të bëjmë me veprime korruptive pasi dyshohet se zv.ministri ka favorizuar babanë e vet, për ti dhënë prokurime apo për ti dhënë tendera, për të përfituar nga buxheti i shtetit.
“Prokuroria e Posaçme duhet menjëherë të fillojë një hetim, të dokumentojë veprimet sepse përvecse kemi përfitim të ardhurash nga buxheti i shtetit kemi edhe rimbursim TVSH-je dhe kjo e ka dëmtuar dy herë buxhetin e shtetit dhe këtu vetëm një favorizues të përbashkët, favorizimin nga djali i vet që i bën familjarëve të vet, siç është në rastin konkret babait apo vëllait të tij”, tha avokati Llangozi në lidhje me këtë rast.
Drejtorët e Ballukut nën dyshime për konflikte interesi
Në fillim të vitit 2021, konsorciumi i kompanive të huaja dhe shqiptare, ku ndër to ishte dhe kompania “ABKONS” e Besnik Leskaj do të fitonte tenderin 11 milionë euro nga Autoriteti Portual i Durrësit për hartimin e Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durresit në Porto Romano. Të gjitha kompanitë pjesëmarrëse u skualifikuan duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive “ABKONS shpk”, “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C”, “TAULANT” shpk, “GEO-ENG shpk”. Sipas Open Data Albania ky tender paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizim nga Autoriteti Portual Durrës.
Dy drejtoresha në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli, të cilat janë anëtare të shoqërisë publike Hekurudha Shqiptare SH.a, bashkëshortët e tyre, përkatësisht Redjon Biba dhe Sokol Malolli janë drejtues te kompanitë “ABKONS” dhe “IKONS” të biznesmenit Leskaj që ka aksione te koncesioni i hekurudhës.
Është e paqartë nëse kemi konflikt interesi në këtë rast, por numri i lartë i personave të lidhur me biznesmenin ngrenë hije dyshimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport, ku zbulohet se kompania koncesionare ka shkelur kushtet e kontratës. Realizimi i kontratës ka ngelur mbrapa me afatet dhe kjo ka sjellë probleme, ku evidentohet se Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Balluku nuk ka ngritur grupin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, duke ngritur hije dyshime për favorizime.
Aferat e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku
Në gusht 2021, Ministrja Belinda Balluku do të afronte si këshilltar ligjor në stafin e Ministrisë së Infrastrukturës avokatin e ri Ermal Nufi. Aktualisht, me vendim të Këshillit të Ministrave, Nufi është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.
Prej gushtit të vitit 2022, Nufi mban pozicionin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku.
Por pse e ka mbështetur Balluku avokatin e ri për të ngjitur me shpejtësi hapat drejt kupolës së pushtetit?
Në fakt, Ermal Nufi dhe Ami Kozeli janë bazat që mbajnë në këmbë pushtetin e Ballukut dhe në të njëjtën kohë janë nën dyshimin e fortë për konflikte interesi me detyrën.
Konkretisht zv.ministri Ami Kozeli dhe vëllai i Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Edmir Nufi së bashku rezultojnë anëtarë të Bordit Këshillimor te Koorporata e Investimeve Shqiptare, e cila përforcon dyshimet për nepotizëm dhe konflikte interesi brenda zyrës së Ballukut.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, ashtu si zv.ministri Kozeli, edhe vëllai i Ermal Nufit, Edmir Nufi rezulton ortak me biznesmenë që marrin fonde publike, konkretisht me Hamz Islamaj te kompania e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”, e cila ngre dyshime të pastra për konflikte interesi për shkak të tenderave të përfituara nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut dhe Ermal Nufit.
Në 20 janar 2021, te Terminali i Kontenierëve në Durrës, Edmir Nufi, Hamz Islamaj dhe Olsi Korça do të themelonin kompaninë “MARITIME LOGISTICS”, e cila kishte si objekt veprimtarie ngarkim-shkarkimin e mallrave dhe veprimtari të tjera, por që shumë shpejt do të fillonte likujdimin.
Jetëgjatësia e kësaj kompanie ishte shumë e shkurtër pasi në 31 gusht 2022, të tre ortakët miratuan raportin e likujdimit të kompanisë, duke sjellë dhe cregjistrimin nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Hapja dhe mbyllja e kompanisë brenda një kohe të shkurtër ngre dyshime për qellimet e aktivitetit të kësaj kompanie dhe ortakëve të saj.
Nga kërkimet e ”Vetting” rezulton se Hamz Islamaj është pronari i kompanisë ”BE-IS” shpk, e cila ka marrë tendera nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe koncesione nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga të dhënat e siguruara nga Open Data Albania, kjo kompani në 5 vitet e fundit ka përfituar 44 milionë euro pagesa nga thesari i shtetit, duke përjashtuar tenderat që ka marrë në bashkëpunim me kompanitë e tjera.
Vëllai i Ermal Nufit, Edmir Nufi aksioner me Hamz Islammaj i kompanisë “Be-is” sh.p.k me Olsi Korça
Sipas ekspertit të ekonomisë, Pano Soko personi me lidhje me pushtetin krijon një kompani në momentin e tenderit, shkon, aplikon fiton tenderin dhe kompanitë që likujdohen janë kompani njëpërdorimshe.
“Nuk është kompania që po e fiton tenderin, po e fiton ti që ke miqësi me ministrin, më kupton? Pra, ti që je i afërm me ministrin do fitosh tenderin. Kompania merr tenderin, ekzekuton tenderin, merr gjithë paratë, transfertat nga thesari i shtetit, pra kryen të gjitha likujdimet dhe në moment që mbaroi tenderi, mbaroi edhe funksioni i kompanisë”, tha eksperti Soko.
Por a kemi konflikt interesi në këtë rast?
Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ermal Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, Hamz Islamaj do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 879 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër me Edmir Nufin, vëllain e kreut të ri të Bordit të ARRSH-së.
Konkretisht bashkimi i kompanive “BE-IS” dhe “ERGI” shpk do të shpalleshin fitues nga ish Drejtori Evis Berberi për Lotin 8 “Mirembajtje me performance e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjake + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strume – Qafe Marinez”, edhe pse kishte kompani të tjera me oferta më ekonomike.
Sipas avokatit Arben Llangozi, kompania e cila është në ortakëri me vëllain e kryetarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mund të kenë transaksione te të dyja kompanitë.
“Duhet një hetim i mirëfilltë sepse përvec veprës penale të korrupsionit që është e dukshme, kemi edhe vepër penale të pastrimit të produkteve të veprës penale sepse në qoftë se të ardhurat monetare të përfituara nga kjo kompani, kanë lëvizur dhe përfitues kryesor është vëllai i drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, atëherë kemi të bëjmë edhe me veprën e pastrimit të veprës së produktit penale”, u shpreh për “Vetting” avokati Llangozi.
Sipas nenit 11 të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar, Bordi i ARRSH-së përcakton politikat e biznesit të Autoritetit, vendimet që rregullojnë veprimtarinë, si dhe miraton programet e brendshme vjetore dhe të buxhetit korrespondues të Autoritetit.
Ndërkohë sipas nenit 12 vijues të po këtij ligji, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri i përgjithshëm i Autoritetit dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga Bordi, duke i raportuar drejtpërdrejt atij. Madje një nga kushtet për tu bërë anëtar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar sipas nenit 9, pika “d” të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar është që anëtari të mos jetë në konflikt interesi me detyrën.
“Këto janë vepra të rënda, duhet të ndiqen nga Prokuroria e Posacme sepse kemi të bëjmë me vjedhje të buxhetit të shtetit”, tha avokati Llangozi.
Por ky nuk është i vetmi tender, që lidhet me kohën e Ermal Nufit si person me rëndësi që mund të ketë ndikuar për tenderat pasi në 13 shtator 2022, përsëri “BE-IS” shpk së bashku me “ERGI” shpk do të fitonin tenderin me vlerë 372 milionë lekë ose 3.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kontratën “Nderhyrje ne zona sportive dhe lodra per femije “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2)”.
Sipas ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zv.kryeministri është kryetari i Këshillit Drejtues, në këtë rast Belinda Balluku dhe sipas nenit 11, pika 1/c Këshilli miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve.
Në këtë rast Ermal Nufi është Drejtor i kabinetit të zv.kryeministres prej gushtit 2022 dhe ka dyshime të forta, që mund të ketë ndikuar për këtë tender që është fituar nga ish ortaku i vëllait të vet.
Megjithatë “BE-IS” shpk nuk ka lidhje vetëm me vëllain e Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku, por rezulton e lidhur edhe me Drejtorin në Ministrinë e Infrastrukturës për Programet e Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, Mehmet Hasalami nëpërmjet djalit të vet Devis Hasalami.
Balluku i jep hidrocentralin drejtorit të saj
Në 18 korrik 2018, Ministria e Infrastrukturës do të lidhte marrëveshjen e Partneritetit Publik Privat me shoqërinë koncesionare “Kalisi Hydropoëer”, e cila është në pronësi të “BE-IS” shpk me aksioner Hamz Islamaj dhe “HASALAMI” ish “EL-PROM” shpk, asokohe në pronësi të Elton Mataj për ndërtimin e Hec-eve Veleshica 1 dhe Veleshica 2 në zonën e Kukësit me 35 vite afat shfrytëzimi.
Në 14 maj 2021, Elton Mataj do të shiste kompaninë e vet Devis Hasalamit me vlerë 2 milionë lekë ose 2 mijë euro, e cila kishte në zotërim 1% të HEC-it “Kalisi Hydropoëer”. Disa javë më pas, në fund të majit 2021, Hamz Islamaj do t’ia shiste 49% të aksioneve të kompanisë “Kalisi Hydropoëer”me vlerë 49 mijë lekë ose rreth 500 euro Devis Hasalami te kompania “HASALAMI” ish “EL PROM” shpk. Kujtojmë se kjo kontratë e Partneritetit Publik Privat ka marrë për shfrytëzim për 35 vite zonën për prodhimin e energjisë elektrike, fakt i cili ngre dyshime për evazion fiskal.
Kontrate Shitje
Lidhja e Devis Hasalami dhe Hamz Islamaj nga “BE-IS” te “Kalisi Hidropower”
Në momentin që këto kontrata publike ndryshojnë identitetin e aksionerit apo dhe volumin e aksionerit brenda vet kompanisë, vihet në dijeni Autoriteti Kontraktor që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nën drejtimin e Ballukut. Por ka një problem se kompania që zotëron një pjesë të aksioneve te “Kalisi Hydropoëer” ka ndryshuar pronarin dhe rrjedhimisht ka një tjetër pronar, pavarësisht se kompania ngelet “HASALAMI“, “EL PROM” sh.p.k.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se Ministrja Balluku ka qenë në dijeni për ndryshimin e pronësisë dhe ajo që e bën më interesant këtë fakt është se dokumenti i vitit 2022 që pasqyron një shtesë në kontratën 2022 është firmosur nga një zv.ministër i Infrastrukturës, ku në dokument rezulton i fshirë identiteti për shkak të dokumentit të keqskanuar.
Skandali me mbetjet dhe pronat e ushtrisë
Skandali me eksportin ndërkombëtar, ku dyshohet se janë eksportuar mbetje të rrezikshme ka sjellë nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Durrësit në gusht të vitit të kaluar. Numri i lartë i zyrtarëve të përfshirë në këtë aferë ngre pikëpyetje se si do të hetohet kjo çështje nga Prokuroria e Durrësit, për të cilën ka kompetenca të posaçme SPAK dhe burime njerëzore dhe teknologjike, që mundësojnë zbërthimin e njërit prej skandaleve më të mëdha që ka mbërthyer qeverinë shqiptare.
Në këtë rast jo vetëm Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgjegjësi, por edhe Ministria e Infrastrukturës pasi ka në varësi Autoritetin Portual të Durrësit dhe sipas ligjit për transportin e mbetjeve të rrezikshme është ministria përgjegjëse, gjë e cila është anashkaluar në hapësirën publike.
Sipas ish Komandantit të Forcave të Armatosura, Artur Meçollari Ministria e Infrastrukturës tenton të mbrojë ato institucione të cilat kanë pasur përgjegjësinë për të kryer këtë kontroll për të mos zbuluar për të mos lejuar trafikimin.
“Problemi kryesor në gjykimin tim është Autoriteti Portual i Durrësit për shkak se kemi të bëjmë me një strukturë plotësisht shtetërore, pra mbetjet kanë hyrë në një strukturë shtetërore, ku kontrolli ose niveli i sigurisë është plotësisht në nivelin e Autoritetit Portua”, tha për Vetting ish-Komandanti i FA-së, Artur Meçollari.
Por ky nuk është i vetmi skandal që ka përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës pasi zv.kryeministrja Balluku është e përfshirë te skandali i pronave të ushtrisë në Sarandë në portin e Limionit.
Sipas ish Komandantit Meçollari, ministrja Balluku është direkte e përfshirë në dhënien e bazës së Marinës me kompaninë Marina Limion.
”Ajo ka miratuar vendimin e Komisionit të Koncesionit dhe ajo ka miratuar dhe në të njëjtën kohë ka mbajtur korrenspondencën me Ministrinë e Mbrojtjes dhe është në dijeni të refuzimit që i është bërë nga Ministria e Mbrojtjes nga ana e forcës detare për shkak se u cënua siguria detare”, u shpreh ish Komandanti Mecollari.
Disa muaj më pas, zyra e Ministrisë së Infrastrukturës është bastisur nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posacme. Zhvatja e pasurisë publike, ortakëritë e familjarëve të zv.ministrave dhe drejtorave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kapja e fondeve publike nën hijen e dyshimit për korrupsion dhe favorizim janë një pasqyrë se si zyrtarët e lartë kanalizojnë paratë publike në parajsat offshore duke përdorur lidhjet familjare nëpërmjet biznesmenëve, që janë fuqizuar nën hijen e qeverisë aktuale.
Sot që flasim, Prokuroria e Posaçme ka rreth 1 mijë çështje nën hetim për zyrtarët e lartë, duke pasqyruar dhe nivelin e lartë të korrupsionit në administratën publike, e cila ka filluar të stepet në firmosjen e letrave me porosi nga shefi.
Deri më sot i vetmi rast publik, që është nën hetim për fshehje pasurie në offshoret e Londrës është Ceno Klosi, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili nuk ka deklaruar pasuritë në Londër, hotelin, kompanitë “RCR BARS Limited” dhe “First Bar Limited” në ILDKPKI. Pavarësisht se rasti është denoncuar me prova dhe fakte nga emisioni “Vetting”, Klosi u katapultua në detyrë edhe aktualisht vazhdon të jetë në konflikt interesi me detyrën pasi rezulton aksioner aktiv te “First Bar Limited” në Londër në kundërshtim me ligjin.
(BalkanWeb)