Të drejtë votimi në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë këtë të diel kanë të paktën 59,1 milionë gjermanë, që janë mbi 18 vjeç. Për herë të parë mund të votojnë 2,3 milionë zgjedhës, sepse kanë mbushur moshën për votim.
Sondazhet
Tendenca e përgjithshme e sondazheve të fundit, sheh sot të parën CDU/CSU, parti e qendrës së djathtë, që arrin te 30.1%. E dyta vjen Alternativa për Gjermanin, AfD, parti pjesërisht ultra e djathtë, te 20.2 përqind. E treta renditet SPD, partia socialdemokrate, e qendrës së majtë, te 15.3%; Të Gjelbrit, parti me fokus ambjentin e klimën, janë te 13.2. %; partia E Majta, parti pjesërisht ultra e majtë, arrin 6.8%.
Kurse partitë e tjera, FDP liberale dhe Aleanca Sara Wagenknecht (BSW), sipas tendencës së sondazheve, nuk pritet të kalojnë 5%, prag për t’u futur në Bundestag.
Parashikimet në sondazhe, për partitë kryesore, thuajse nuk kanë ndryshuar muajin e fundit. Megjithatë, më shumë se një e treta, apo 3,9% e votuesve janë ende të pavendosur për kë do të votojnë.
Qeverinë mund ta formojë partia ose koalicionet partiake që arrijnë gjysmën e mandateve në Bundestag, pra që arrijnë të paktën 316 mandate.
Skenarët e koalicionit
I pyetur për preferencat, kryetari i CDU-së Friedrich Merz, u përgjigj së fundi: “ndoshta me SPD, ndoshta me Të Gjelbrit. Për FDP-në kam dyshime të mëdha”.
Sipas sondazheve, gjasat më të mëdha i ka një koalicion mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve, SPD. Një koalicion i tillë e ka drejtuar Gjermaninë katër herë pas Luftës së Dytë Botërore.
Por mund të nevojiten edhe tre parti, për të formuar qeverinë. Pra është e mundur që të kërkohen edhe Të Gjelbrit në bord.
Kjo mund ta vështirësonte formimin e qeverisë. Sepse Merzi ka deklaruar se mund të kthehet te energjia atomike; se do të ndërtojë me shpejtësi 50 centrale me gaz dhe mund të zgjasë përdorimin e motorit me djegie në automjete. Kjo do të kërkonte tolerim nga Të Gjelbrit dhe negociata me ta.
Por Merzi dëshiron ta shohë të formuar shpejt qeverinë, më e vonta deri në 20 prill.