“Një pjesë e zemrës është këtej”, kështu shprehet një nga përfaqësuesit e komunitetit arbëresh të Leçes, i cili së bashku me një trupë aktorësh kanë ardhur në Vlorë, në kuadër të projektit “Gluha te rrënjëve”, që synon ruajtjen e të folmes arbëreshe.
Në një intervistë për gazetarin Enrik Mehmeti, Nik Pace famullitari i Kishës Shqiptare të Leçes thotë se kisha në të cilën shërben është ndërtuar rreth 500 vjet më parë nga arbëreshët, ndërsa tani është në shërbim të emigrantëve shqiptarë. Me keqardhje ai rrëfen se në fshatrat arbëreshe shqipja e folme nuk ekziston më, por gjallon vetëm përmes këngëve dhe shërbesave kishtare.
Të shpërngulur në Itali rreth viteve 1530, arbëreshët rrëfejnë për rrënjët e tyre dhe kërkojnë më shumë bashkëpunim me shtetin shqiptar, për të ndërkëmbyer kulturën e gjuhës, që ajo të mos bjerrët tërësisht.
Teksa thonë se gjuhën e kanë trashëguar nga Tata e Mëma, arbëreshët këndojnë një nga këngët më në zë të traditës së tyre. Në përfundim të turit të tyre në Shqipëri, arbëreshët vunë në skenën e teatrit “Petro Marko” shfaqjen “Vëj Kurorë”.