Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me komentuesit në rrjetet sociale u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit. Rama shigjetoi Berishën, duke thënë se këneta që është subjekt i luftës antikorrupsion është e supermbolizuar për ta përdorur SPAK si një mjet të vetin të luftës politike duke e vënë në lëvizje përmes presionit të llumit dhe përmes një shantazhi permanent.
“Në momentin kur një vend vendos të përshkallëzojë luftën ndaj korrupsionit, paralelisht me arritjet forcohet perceptimi i korrupsionit. Prandaj quhet paradoksi i progresit në vend se në atë fazë të krijohet më shumë besim, më shumë qetësi, bindje lidhur me përparimet dhe luftën kundër korrupsionit, krijohet një atmosferë cinizmi, mohimi dhe vendosja e gjithçkaje brenda kornizës së korrupsionit. Unë këtu kam para një nga studimet, thuhet se bërja publike e qëllimeve dhe proceseve që stimulojnë luftën kundër korrupsionit, duke i bërë hapat që hidhen të dukshëm për publikun, çon në perceptimin që korrupsioni është ende më i përhapur, se sa në fakt ai tkurret në këtë betejë.
Reformat institucionale, reformat antikorrupsion, agjencitë që i dedikohen kësaj lufte, kontribuojnë në rritjen e një perceptimi negativ. Është i përkohshëm por i përket kësaj faze ku jemi ne edhe për shkak të një mbulimi histerik në media, hyhet në një fazë ku ka brumë telenovela mediatike dhe ku pavarësisht se çfarë thonë rezultatet konkrete në këtë luftë që janë të matshme.
Kënata është subjekt i luftës antikorrupsion, këneta është e supermbolizuar për të spërkatur me llumin e vet gjithçka këdo dhe vazhdimisht dhe me një strategji të qartë për ta përdorur llogoren antikorrupsion, SPAK si një mjet të vetin të luftës politike duke e vënë në lëvizje përmes presionit të llumit, përmes rrugës së denoncimeve të gjithfarshme dhe përmes një shantazhi permanent.
Kjo është njëra ana e medaljes, është ajo që shohim dhe krijon perceptimin se këtu janë gjithë hajdutë, këtu vetëm vidhet. Por çfarë thonë faktet konkrete dhe pse BE e konsideron Shqipërinë një vend të angazhuar seriozisht në luftën kundër korrupsionit dh enjë vend që është në hapat e fundit në familjen e BE. S’të bën njeri pjesë nëse të dhënat konkrete të diagnozës tënde nuk tregojnë se ti je për atë. Nuk të bën njeri pjesë”, tha Rama.