Thellohet skandali me prokurorin Ols Dado, që nga emërimi në kundërshtim flagrant me ligjin në vitin 2008, deri tek hetimet me natyrë hakmarrëse, përzier me dufe personale, shkarje etike, gafa të rrezikshme dhe interesa të dyshimta në ndërtim. Në pah dalin të tjera fakte që kompromentojnë më tej pozitat e Ols Dados, i cili tashmë është kthyer në një barrë të rëndë për integritetin, besueshmërinë dhe imazhin e SPAK-ut.
Ols Dado ka kërkuar që të ndërtojë një kullë në zonën e ish Bllokut që në vitin 2016, por nuk ka mundur të sigurojë lejen e ndërtimit nga Erion Veliaj, të cilit 9 vjet më vonë Dado i ngarkoi një dosje penale. Nuk ka asgjë të jashtëligjshme të zhvillosh pronën, as të jesh edhe prokuror edhe ndërtues, por ky fakt ngarkon më tej situatën e konfliktit të interesit të Ols Dados në hetimin e Veliajt.
Konkretisht, në 4 maj 2016, Ols Dado deklaron se ka trashëguar një truall me sipërfaqe 277 m2 dhe ndërtesë 124 m2 në Rrugën Andon Zako Çajupi në Tiranë, duke u poseduar 1/4 e pjesës, 69 m2 dhe 31 m2.
Reruar rrugës së shënuar, trualli ndodhet në ish Bllok, zonën më të lakmueshme të Tiranës. Për llogari të procesit të Vetingut, Dado ka deklaruar edhe një herë pasurinë e tij që nga fillimi i detyrës si prokuror në 2008. Ndryshe nga sa ka deklaruar për ILDKPKI në 2016, për Vetingun Dado ka deklaruar se në vitin 2016 ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani ndërtimi për të ndërtuar një pallat mbi truallin e trashëguar nga nëna, por nuk ka arritur të sigurojë lejen e ndërtimit. Ky fakt reflektohet në faqen 20 të vendimit të KPK për vetingun e Ols Dados.
Kjo marrëveshje sipërmarrje nuk është deklaruar nga Ols Dado në deklaratën e pasurirë që ka dorëzuar pranë ILDKPKI për vitin 2016. Ky fakt e vesh prokurorin me përgjegjësi penale, por ngre dyshime të forta edhe mbi ILDKPKI dhe Komisionin e Vetingun, organe të cilat duhet t’a kishin konstatuar mosdeklarimin e marrëveshjes për ndërtimin e kullës.
Dado thotë për KPK-në se nuk u sigurua leja e ndërtimit dhe për rrjedhojë marrëveshja u revokua, një vit më vonë, tetor 2017. As revokimin e marrëveshjes nuk e ka deklaruar për ILDKPKI.
Ndërkaq, leja e ndërtimit, që nuk është siguruar, kalonte nga Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë. Në mas 2023, me kërkesë të kreut të SPAK, Altin Dumani, Këshilli i Lartë i Prokurorisë komandon Ols Dadon prokuror në SPAK. Në korrik 2023 në zyrat e SPAK shfaqet letra e famshme e Nesti Angonit. Në konflikt konkret dhe të dukshëm interesi Ols Dado udhëheq hetimin ndaj Veliajt.
Emërimi i paligjshëm prokuror
Ols Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë.
Nga data 16.12.1995 deri në 15.2.1996 punoi pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Nga data 16.2.1996 deri në 10.9.1996 punoi pranë “A.M.C” sh.a. Nga data 29.1.1997 deri në 8.11.2000 punoi pranë Bashkisë Durrës. Nga data 1.7.2003 deri në 29.9.2005 punoi në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Në vitin 2008 bëhet noter pa konkurrim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado, deri në vitin 2008.
Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec. Propozimin e saj, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.
Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.
Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit. Dado është emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin në funksionin e prokurorit. Nëse Ols Dado nuk jep dorëheqjen, duhet që organet përkatëse të konstatojnë paligjshmërinë e mandatit si prokuror.