Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit në asamblenë socialiste të njësive 5, 6, 13 dhe 14 në Tiranë foli për gabimet që mund të ndodhin në politikë dhë ato që mund të ndodhin në sistemin e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se një gabim që bën një bashki, kushton 100 pemë, por në sistemin e drejtësisë një gabim ka kosto në jetë njerëzish.
“Ne e kemi qeverinë institucion të ri, llogarite tani një drejtësi që për herë të parë në historinë e vetë funksionon e pavarur dhe kur njerëzit e saj kanë një kulturë shumë shumë pak europiane. Një pjesë e tyre kanë dëshirën e madhe që të bëjnë gjënë e duhur, por nuk mjafton.
Tani ndryshimi midis gabimeve që bën cilido tjetër, një gabim i bashkisë X në mbjelljen e pemëve, në vend ti mbjelli në sezonin e mbjelljeve i mbjell në korrik, kushton 100 pemë që thahen. Një gabim i një sistemi të ri drejtësie që është totalisht i pavarur por që ka mangësi të tjera kushton jetë njerëzish. Kjo është një kosto shumë e madhe. Kjo është politika”, tha ai.