Të paligjshëm e ka cilësuar kryeministri Edi Rama arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ditën e sotme, gjatë fjalës së tij nga takimi me asambletë socialiste të 10 njësive të Tiranës, Rama tha se tashmë bashkia ka mbetur pa një drejtues, i cili është votuar edhe nga populli.
Kryeministri deklaroi se në vend ka gjykatës që kanë frikë nga prokurorët dhe këtë e cilësoi si një problem.
‘Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm. Dhe mjafton të lexosh vendimin e Strasburgut për të kuptuar se sa shumë nga këto arrestime të paligjshme do t’i paguajë nesër taksapaguesi shqiptar në formën e dëmshpërblimit.
Pse? Pse duhet ta marrësh tjetrin, ta fusësh në burg pa gjyq, për të treguar që je i fortë? Për të treguar që je ti e s’ka tjetër këtu? Apo për të treguar që prokuroria dhe gjykata janë e njëjta gjë si në komunizëm? Dhe kjo, më shumë sesa për SPAK-un, është një këmbanë që bie për gjykatësit. Gjykatësit janë aty për të qenë të drejtë, të barabartë, të paanshëm, të pavarur, profesionistë e të tjerë, e të tjerë.
Nuk janë aty për të mbajtur anën e prokurorit. Prokurori ka punën e vet, gjykatësi ka një punë tjetër. I ke ngrit një akuzë si i dyshuar. Po ata 250 mijë njerëz që kanë votuar ca janë, ata apo janë kot po një kontratë me këtë milet që duhet ta zbatojë kur je i zgjedhur e kush duhet ti ndjek 1 mije e një punët prokurori apo Noci’, tha ai.
Kryeministri Edi Rama, u ndal tek deklarata e Berishës se nëse vjen në pushtet do të shkrij SPAK. Ai tha se kjo s’do të ndodh.
Rama deklaroi se suksesi i reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit është rezultat i vendosmërisë së Partisë Socialiste dhe jo për shkak të presionit amerikan.
‘Ne ja kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe e kemi bërë të barabartë me të tjerët. Ajo që po ndodh me drejtësinë dhe lufta kundër korrupsionit nuk do të ndodhte nëse s’do të ishte PS që ta mbështeste këtë proces.
Thoshin e bëri Amerika po tani, nuk janë më amerikanët. S’ka më deklarata të ambasadës bravo që u kap filani. Kush e mban tani SPAK dhe gjykatën speciale larg duarve të ‘bufit të kënetës’, bufi tha do ta shkri SPAK, noc rrokun në 11 maj. Ne duhet që të kuptojmë të gjithë se kemi marr përsipër që të transformojnë Shqipërinë dhe transformimi i vendit pa transforimin e drejtësisë nuk është transformim’, tha ai.
Teksa foli për ndryshimet e bëra gjatë qeverisjes socialiste, Rama u ndal edhe tek energjia elektrike.
“Kur erdhëm ne në qeveri një dekadë më parë, në rrugë nuk flisje dot se nuk dëgjoheshe nga zhurma e gjeneratorit. 10% e miletit nuk e paguante energjinë. Sot, për herë të parë kemi një ulje të përgjithshme të energjisë. E ulëm, sepse kemi ndryshuar komplet qasjen dhe përmbajtjen e sektorit. Ndërkohë, janë disa që thonë s’ju vjen turp, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti dritat. Akoma s’e kanë marrë vesh që dritat s’ti jep Zoti, ia jep OSHEE”,
Ai shprehu ambicien se brenda kësaj dekade, Shqipëria do ta prodhojë vetë energjinë që i duhet.
“Falë marrëveshjes së arritur me Emiratet e Bashkuara Arabe, brenda 2030 energjinë do të prodhojmë të gjithë vetë. Nga 0 që e kemi gjetur, energjia diellore do shkojë mbi 30%. Edhe lufta po të plasë, nuk do të na ndikojë, s’e do e kemi tonën luftën, madje do eksportojmë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi takim me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Krrabë, Bërzhitë, Lagjia 12 të Tiranës.