Qarkullimi i makinave nga Shqipëria në drejtim të Greqisë përmes tre pikave kufitare në vend është pezulluar ditën e sotme, për shkak se doganierët grekë do të zhvillojnë grevë. Qarkullimi për mjetet është i ndaluar nga ora 07:00 deri në orën 23:00 dhe gjatë kësaj periudhë asnjë makinë nga territori shqiptar nuk do të lejohet të kalojë drejt territorit grek përmes tre pikave kufitare, Kakavijës në Gjirokastër, Qafë Botës në Sarandë dhe Tre urat në Përmet.
Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente.
Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura.