Banka Europiane e Investimeve, një organ i Bashkimit Evropian dhe një nga investitorët e kreditorët më të mëdhenj globalisht, do të hapë degë në Shqipëri.
“Vendimi i BEI për të hapur degë në Shqipëri shkon në harmoni të plotë me politikat që ka Be në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për Bosnjen, Serbinë dhe Maqedoninë. Është një vendim që vjen si pasojë e planit për rritjen që ka BE, që miratoi një vlerë rreth 6 mld euro vitin që shkoi për të mbështetur procesin e harmonizimit dhe aksesimit në BE të Ballkanit Perëndimor. BEI do të shërbejë si krahu bankar i lëvrimit të këtyre fondeve dhe si syri për të kontrolluar zbatueshmërinë e projekteve madhore që do të financohen. Qëllimi i BE me këto fonde nuk është për të nxitur ekonomitë lokale, por për të nxitur interkonjeksionin, bashkëpunimin e ekonomive rajonale.”, tha Artan Gjergji, eksperti i tregut bankar.
Banka Europiane e Investimeve jep hua me norma të favorshme për projektet që plotësojnë kriteret e saj, me fokus në sektorin e transportit, atë të furnizimit me ujë dhe të energjisë.
“Prezenca e këtyre institucioneve, me një status të veçantë, me seriozitet dhe besueshmëri, prezenxa e tyre në vende në zhvillim si Shqipëria, në sytë e investitorëve të huaj është shumë e rëndësishme. Vende si Shqipëria kanë nevojë, oreks të shtuar për të tërhequr investitorë të huaj dhe kur shohin prezencën e BEI, do të jenë më të sigurtë për të alokuar fondet në Shqipëri.”
Sipas njohësve të fushës, nisur edhe nga iniciativa e qeverisë për të hapur Bankën Shqiptare të Zhvillimit, tregon se tregu në Shqipëri ka një potencial të ri për të shfrytëzuar.
“Ka një konceopt të ri të bankingut, po kalojmë te bankat zhvillimore. Kemi pasur një ekzposim të jashtëzakonshëm në bankingun tregtar, ndërkohë që bankingu zhvillimor, banka mund të bëhet bashkëaksioniere në projekte të caktuara, është një formë tjetër financimi. Tregu dhe ekonomia shqiptare ka kaluar në një tjetër fazë tashmë dhe bankingu tregtar nuk financon dot 100% neviojat që ka për kapital. Unë e shoh si një fazë të re pozitivie për zhvillimin e tregut financiar në vend.”, tha Gjergji.
Në rastin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, ekspertët sugjerojnë që me kalimin e viteve të para, qeveria, që do të zotërojë 51% të aksioneve, të dalë nga skema dhe TE transferojë pjesën e kapitalit tek aktorët e tregut, për të shmangur aludimet për ndikim përtej të bërit biznes.