Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama tha se më parë, Shqipëria ka pasur ujë me orare.
Sipas kryeministrit, me ardhjen e PS-së në qeveri, shumë zona të Tiranës, si urbane, edhe ato rurale kanë ujë 24 orë të ditës. Kryesocialisti thekson se vazhdon puna për të pasur ujë 24 orë në 7 ditë të javës në të tjera zona rurale.
Rama shtoi se vendi ynë nuk do të blejë më energji nga jashtë, por madje edhe do t’u shesim vendeve të tjera falë marrëveshjes Shqipëri-Itali-Emiratet Arabe për linjën nënujore të transmetimit të energjisë.
“Uji ka qenë me orare, në mëngjes, drekë dhe darkë. Nuk ka pasur ujë në 24 orë të ditës. Në shumë zona ka pasur një cezmë të përbashkët ku gjithë zona vinte dhe mbushte ujë atje. Puna për ujë në 24 orë vazhdon.
Akoma se kanë marrë vesh që dritat nuk ti jep zoti, por OSHEE e me radhë. Në 2030 do jemi 100% të pavarur, s’do kemi nevojë për njeri. Ne energjinë nuk do e blejmë më nga jashtë, do e prodhojmë vetë këtu edhe madje do kemi mundësi edhe t’ua shesim të tjerëve. Falë asaj marrëveshjes, Shqipëri-Itali – Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ai.
Marrëveshja Shqipëri-Itali-Emiratet Arabe për linjën nënujore të transmetimit të energjisë u firmos në 15 janar 2025.