Pas nënshkrimit të koalicionit me 25 parti opozitare, Muli u vu në qendër të vëmendjes së medias për sloganin e zgjedhur dhe mbi të gjitha, për partitë anëtare të koalicionit.
Lelo, i cili ishte skeptik për shpjegimet e Mulit, e ndaloi atë që të fliste pa u konsultuar më parë.
— Duhet të bësh kujdes, tha ai, se kemi në koalicion gjithë ata që kishte Luli më 2017 dhe që më 2021 votuan për të ndryshuar ligjin e koalicioneve.
Prandaj jemi këtu ku jemi sot.
— Ata e kanë kuptuar gabimin, tha Muli. Më kërkuan falje.
— Ky është një hap i madh përpara, tha Lelo.
Po kam frikë se ata nuk kanë kuptuar as çfarë kanë bërë një herë, pastaj të kuptojnë që ishte gabim.
— Jenisheri më tha se e ka akoma atë problemin e çatisë së shtëpisë.
Po ja rregulluam, nuk do vota fare.
Ky Kujtim Gjuzi më tha: “Ma kërkoi Lul Basha emrin e partisë për 100 mijë euro dhe nuk ja dhashë, por Doktorit ja jap dhe për 10 mijë.”
Sazan Guri më tha: “Po më gjete nja tre gomerë të çoj gurët në kalanë e Beratit se po rregulloj shtëpinë, futem në koalicion.”
Domethënë, pa kosto i kemi marrë.
— Këta nuk të rëndojnë me sa i blen, tha Lelo.
Këta të bëhen barrë kur të vijnë pa lekë.
Por të paktën duhet të shpjegojmë pse kemi zgjedhur sloganin “Për Shqipërinë Madhështore” dhe jo “Për Shqipërinë e Madhe.”
Duhet shpjeguar se diferenca mes fjalës “e madhe” dhe “madhështore” është se e madhe është një gjë sasiore, ndërsa madhështore është një gjë cilësore.
Duke u nisur nga parimi dialektik se sasia çon në cilësi, ne kemi mbledhur 25 parti që të arrijmë një fitore madhështore.
Po këmbëngulën duke pyetur se ç’lidhje ka kjo me Shqipërinë Madhështore, duhet t’u thuash:
Po a nuk është madhështore ta mundësh Ramën me Jenisherin, Gjuzin, Sazanin apo Kostaqin?
Aty nuk kanë çfarë thonë më.