Janë 245, 975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që janë regjistruar për të pasur mundësinë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
KQZ mbylli mesnatën e 4 marsit aplikimet online dhe sot përfundoi dhe procesimi i kërkesave të mbetura nga 294,155 që ishin bërë deri në mbarim të afatit.
Ndërsa u është refuzuar kërkesa për 48,180 për shkak të gabimeve në fazën e rregjistrimit apo dokumentacionit jo të plotë.
Shifrat e kërkesave të diasporës për të votuar
Zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim 294,155
Zgjedhës (unikë) të cilëve u është miratuar kërkesa 245,975
Zgjedhës (unikë) të cilëve u është refuzuar kërkesa 48,180
Rregjistrimet e zgjedhësve nga jashtë vendit, tejkaluan pritshmëritë fillestare si të Komisionit Qendror të zgjedhjeve ashtu dhe të vetë partive politike. Numri më i madh i shqiptarëve të regjistruar është nga Italia me 91,223 , renditur më pas nga Greqia me 68,386 zgjedhës të regjistruar.
Zgjedhës të miratuar sipas shteteve
Itali 91,223 zgjedhës ose 37.1%
Greqi 68,386 zgjedhës ose 27.8%
Gjermani 25,499 zgjedhës ose 10.4%
Shtetet e Bashkuara te Amerikës 20,653 zgjedhës ose 8.4%
Mbretëria e Bashkuar 17,227 zgjedhës ose 7.0%
Franca 5,342 zgjedhës ose 2.2%
Sipas parashikimeve ligjore, vota e migrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë residencën në Shqipëri. 52,425 votues të regjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me 32,559 votuesë nga jashtë dhe Durrësi e Elbasani me 25 mijë të tillë
Brenda datës 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë listën paraprake të këtyre zgjedhësve. Emrat e tyre do të hiqen më pas nga lista e votuesve në Shqipëri.
Zgjedhës të miratuar sipas qarqeve
Tiranë 52,425 zgjedhës ose 21.3%
Fier 32,559 zgjedhës ose 13.2%
Elbasan 25,196 zgjedhës ose 10.2%
Durrës 25,034 zgjedhës ose 10.2%
Korçë 20,638 zgjedhës ose 8.4%
Vlorë 19,953 zgjedhës ose 8.1%
Shkodër 17,452 zgjedhës ose 7.1%
Berat 15,897 zgjedhës ose 6.5%
Lezhë 14,761 zgjedhës ose 6.0%
Dibër 9,603 zgjedhës ose 3.9%
Gjirokastër 8,487 zgjedhës ose 3.5%
Kukës 3,970 zgjedhës ose 1.6%
Shifrat e deritanishme të të rregjistruarve, dëshmojnë se vota e migrantëve mund të ketë një ndikim jo të pakët, veçanërisht në qarqet, ku mandati i fundit mes palëve, është ndarë në të kaluarën, me një diferencë të ngushtë votash. Një fenomen i parë kryesisht në disa qarqe të vogla, por dhe në ato me shumë deputetë, si në rastin e Fierit.