Europa League mbylli aktin e parë të ndeshjeve të fazës së 1/8. Veç Bodo/Glimt dhe Lyon, duket se të gjitha ndeshjet mbeten të hapura për përballjet e kthimit që luhen më 13 mars.
Në “Olimpico”, Roma fitoi 2-1 me përmbysje kundër Athletic Bilbaos. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa Inaki Williams shënoi për spanjollët në minutën e 50-të. Vendasit do reagonin shpejt dhe pas gjashtë minutash Angelino do vendoste ekuilibrat. Miqtë mbetëm me një lojtar më pak në minutën e 85-të, me Alvarez që doli jashtë pas dy kartonave të verdhë. Duhej shtesa e tretë që festa të pushtonte stadiumin, aty ku Shomurodov gjeti golin e përmbysjes për vendasit. Spektakël në stadium nga tifozët, të cilët kishin shkuar në tribuna me nga një flamur të Romës, duke dhuruar një atmosferë fantastike.
Në ndeshjet e tjera, AZ Alkmaar mposhti 1-0 Tottenhamin me autogolin e Bergvall. Në “San Sebastian”, Real Sociedad barazoi 1-1 kundër Manchester United. Zirkzee kaloi në epërsi anglezët, para se baskët të barazonin me Oyarzabal.
Në Amsterdam, Ajaxi u befasua 1-2 nga Eintracht. Bie në sy fitorja 1-3 e Rangers kundër Fenerbahces në Stamboll, apo triumfi i Lyon në Bukuresht. Sukses për Lazion në Çeki, me italianët që fituan 1-2 kundër Viktoria Plzen paçka se e mbyllën ndeshjen me nëntë lojtarë.
Europa League, faza e 1/8 – ndeshjet e para:
E enjte, 6 mars 2025
AZ Alkmaar 1-0 Tottenham
FCSB 1-3 Lyon
Fenerbahce 1-3 Rangers
Real Sociedad 1-1 Manchester United
Ajax 1-2 Eintracht Frankfurt
Roma 2-1 Ath. Bilbao
Bodo/Glimt 3-0 Olympiacos
Plzen 1-2 Lazio