Një ditë pasi qeveria miratoi vendimin për mbylljen e TikTok, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u bën thirrje fëmijëve që të bojkotojnë orët e mësimit.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha i kërkon prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë këtë të hënë. Sipas Berishës duket se edukimi është më pak i rëndësishëm se mbyllja e rrjetit social TikTok.
Berisha shkoi dhe më tej, duke kërcënuar edhe shkollat e mësuesit, kur tha se askush nuk duhet të guxojë të marrë masa ndaj nxënësve që bojkotojnë mësimin.
“U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët në shkollë orën e parë, si një akt i betejës së fëmijëve tuaj për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës.
Nuk do guxojë shkollë, apo mësues të marrë masa ndaj jush, do përballen me pasojat më të rrepta ligjore, e drejta e grevës është e drejtë kushtetuese”, tha Berisha.
Vendimi për mbylljen e “Tik Tok” u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes me thikë të nxënësit 14-vjeçar Martin Cani nga një bashkëmoshatar. Pas konsultimit me prindër e mësues në mbarë vendin, ishte vetë kryeministri Edi Rama, që njoftoi në konferencën e fundit të 2024-ës, se mbi 90% e tyre janë për mbylljen e “Tik Tok”, pasi e shohin si të dëmshëm për fëmijët.