Prej vitesh nuk dal në ekran në debate televizive, që kur ato janë bërë me pagesë.
Nuk është se nuk i dua lekët, por dalja e analistëve të paguar nëpër ekrane është një shëmti kulturore, një mashtrim i madh publik mbi transparencën dhe mbi të gjitha një fyerje për debatin publik. Dhe I vetmi rast që pranoj është ndonjë opinion I shkurtër pa qenë pjesë e “paneleve gjyqësore publike”.
I shikoj disa nga kolegët e mi që janë vërtet në hall e detyrohen të braktisin herë pas here studiot, po për këtë shkak, por e kanë të vështirë të rikthejnë normalitetin tani që ka shkuar larg çmenduria.
E kuptoj se shumë televizione janë në hall për protagonistë debatesh, ndaj u duhet të paguajnë shumë njerëz, të cilët i “emërojnë” analistë për çdo çështje dhe më pas me ta bëjnë gjyqe publike.
Natyrisht “gjyqet” që çmendin shqiptarët janë ato të tipit me “informacione nga burimet e mija”, që “një politikan do arrestohet së shpejti”, apo që “një biznesmen është gjobitur nga një kriminel në një vend”, të gjitha këto, pa emra, pa adresë, pa burime. Dhe natyrisht pa pik turpi!
Akoma më dramatike janë gënjeshtrat që u referohen burimeve të SPAK, siç ishte rasti I “apartamentit sekret të Ajola Xoxes” në Sky Tower, që në fakt ishte magazina e qendrës së biznesit të Sky Tower ku Xoxe dhe disa klientë të tjerë të qendrës së biznesit lënë sendet e tyre pasi zhvendosin zyrat. Kasafortën bosh prej dhjet vitesh aty të pronarit të linjës detare “La Vikinga” në Durrës e shpallën kasafortë të saj mbushur me para, apo fustanet Zara të gjetura aty si pjesë e një shfaqje opere, si veshje luksoze të saj.
Këto i kuptoj se janë pjesë e baltës politike, pasi vet SPAK nuk i ka të shkruara kështu ne procesverbalet e veta. Kur gënjejnë i referohen burimeve të tyre në SPAK, kur e vërteta sqarohen vrapojnë tek gënjeshtra e radhës.
Shpikin përfolje politikanësh dhe prokuroresh në SKY apo encrochat nga ato që banditët janë të lirë të bëjnë për çdo politikan, gjykatës, prokuror apo gazetarë, përfshi dhe ata që flasin në ekrane. Po të lexosh atë dosjen ‘sekret” të Toyata Yaris e kupton më mirë këtë llum. Dhe në këtë çmenduri “artistike”, të krijuar nga shkelmimi i integritetit të informacionit publik, çdo natë ke një viktimë në emër të moralit të panelistëve me pagesë.
Tani shfaqja ka kaluar në një nivel tjetër. Një nga këto gjyqe publike në modë tani është kjo intifada ndaj atyre artistëve që kanë përfituar projekte kulturore nga Bashkia e Tiranës.
Ata konsiderohen të gjithë kriminelë, hajdutë dhe bashkëpunëtorë në krim, me një lehtësi të papërballueshme, vetëm sepse targeti i këtyre analistëve për t’u sakrifikuar është, në këtë rast, Erion Veliaj, që ka qenë kryetar i Bashkisë në kohën kur ata kanë fituar këto projekte.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme, sepse një nga OJF-të ishte dhe e gruas së tij, Ajolës.
Tani, këta artistët duhen pyetur një herë:
A i kanë realizuar projektet për të cilat janë paguar? A kanë qenë cilësore apo jo? A kanë qenë projekte që kanë gjallëruar qytetin, apo kanë qenë thjesht letra të firmosura pa ndonjë aktivitet real?
Vetëm kështu mund të diskutojmë mbi eficencën e sponsorizimeve, por jo për kriminalizimin e tyre.
Artistët në të gjithë botën kanë nevojë për sponsorizime dhe donatorët kryesorë natyrisht janë institucione publike, qeveritare, banka apo biznese të tjera.
Ndërkohë, këta të vetëshpallur “analistë” me pagesë në ekrane, të cilët paguhen për të qenë besnikë ndaj politikave editoriale të pronarëve të TV-ve, u janë vërsulur artistëve, duke i akuzuar pse kanë pranuar para nga Erion Veliaj për aktivitete kulturore, dhe i quajnë të korruptuar.
Dhe, për më tepër, e gjithë kjo hipokrizi ndodh përballë një shoqërie që pret gojëhapur “transparencë” nga ekranet, ku debatuesit janë të gjithë ushtarë me pagesë.
Në këtë debat, është e pamundur të hysh, sepse asnjë njeri normal nuk pranon të marrë pjesë në një debat të parapaguar me njerëz të parapaguar, për të linçuar njerëz që kanë bërë punën e tyre dhe për të cilën janë paguar. Dhe përvecse paguhen nga ekranet ku dalin, të gjithë e dimë dhe se çfarë përfaqësojnë dhe për kë llogore janë aty.
Është normale që një televizion të punësojë gazetarë, t’i paguajë ata dhe të prodhojë opinion, pasi kjo është puna e tyre dhe njëfarësoj edhe marka e tyre.
Por moda e televizioneve shqiptare, ku të gjithë kanë mercenarët e tyre me pagesë dhe i bëjnë gjyqin gjithë Shqipërisë, është një fenomen i rrallë në botë dhe ndoshta i vetmi.
Aq më tepër, kur këta analistë marrin para nga dy-tre televizione, ku:
Gjysmë ore shfaqen te televizioni i Shkëlzen Berishës, Gjysmë ore te ai i Edi Ramës,
Gjysmë ore te ndonjë oligark hallexhi,
Dhe në të gjitha rastet – me pagesë.
Në luftë kundër korrupsionit!