Në podcastin ‘Flasim’, kryeministri Edi Rama komentoi sulmet ndaj të rinjve socialistë që mbajtën fjalime në Kuvendin Rinor të PS. Rama tha se s’ka parë gjë më të neveritshme se gjithë ai helm që u hodh ndaj të rinjve, ndërsa theksoi se s’ka përqafim dashurie mes atyre që janë dhe atyre që duan të vijnë.
“Petalet e trëndafilit janë shumë të ndryshme, siç mund të shikohet këtu janë vetëm tre, por nëse do ishin 30 sa ishin atë ditë, do ishte akoma më e larmishme. Nuk bëhet fjalë këtu për të rinj që janë shabllon, bëhet fjalë për vajza dhe djem që janë të librave, të studimeve, janë me ambicie, me këndvështrime kritike.
Nuk diskutohet që kur i riu qëllon të ftohet dhe të futen në atë gojët e qenërisë, si fillim do vihen në pozitë të vështirë, por pastaj kur qëllon që disa që kanë shumë e shumë vite që shtrihen atje në darkë dhe ju bëjnë edhe atë presionin e pitbullit për t’iu vënë në pozitë. Është emocion të dalësh në gjithë atë skenë. Mund të dëshmoj që edhe unë kur kam dalë, edhe pse nuk isha aq i padalë në një skenë, prapë kamë ndjerë emocion. Nuk kam parë gjë më të neveritshme se gjithë ai sulm e helm që u hodh.
Por kam dëshmitarë që ua kam thënë, nuk ka një qilim të shtruar, s’ka përqafim dashurie mes atyre që janë dhe atyre që duan të vijnë, kjo është betejë, në momentin që pranove ta nxjerrësh hundën jashtë derës të shtëpisë do duhet të përgatitesh më gjithfarë lloj kundërshtish. Nëse do të rrish rehat, mbylli rrjetet, mos dil askund të bësh ballafaqim social, lexo, studio, shiko laboratorin tënd. Në momentin kur ekspozohesh, janë ngatërruar të gjitha rangjet. Është një përzierje gati-gati e shoqërisë në rrjete”, tha Rama.