Në dukje, këta janë dy turistë të huaj, mes shumë e shumë të tjerëve që zbresin çdo ditë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Pamjet e kamerave të sigurisë në Rinas tregojnë një sjellje normale, duken të qeshur e shfaqen pa asnjë problem. Të paktën për ata që i shohin. Pasi ata vetë mund të kenë pasur jo vetëm probleme, por edhe konflikte. Me gjasë të nisura prej andej nga vinin.
Për disa ditë me radhë, të gjithë ata që patën kontakt me ta, mendonin se ishin çift. Në mos bashkëshortë, të paktën u dukeshin si dy të dashuruar.
Në fakt, rezultoi se ishin babë e bijë.
Po flasim për dy shtetas palestinezë. Fadi Alwan, 49 vjeç dhe Rayan Alwan, 24 vjeç. Për vajzën 24-vjeçare, Shqipëria ishte destinacioni i saj i fundit. Pas një fluturimi që zgjati 2 orë e 5 minuta nga Frankfurti në Tiranë më 19 shkurt, ajo qëndroi e gjallë vetëm dy ditë në Shqipëri. Pasi dyshohet se mbrëmjen e 21 shkurtit u vra.
Ndërsa babai i saj u arratis vetëm disa orë pasi e goditi për vdekje dy herë me thikë. Një herë në gjoks e një herë në shpinë.
Sot mendohet se ndodhet në Liban.
Një histori aq sa e vështirë për t’u zbardhur, po aq edhe e mbuluar me mister. Të tillë e bën jo vetëm fakti se janë shtetas të huaj, por edhe sepse tashmë është konfirmuar si një krim në familje. Për ngjarje të tilla, jo rrallë ndodh që motivet e vërteta të mbeten pa u zbuluar. Aq më pak në rastet kur viktima dhe autori janë të huaj dhe në shumë raste vijnë në Shqipëri me konflikte të mbartura nga jashtë.
Duke iu referuar dosjes hetimore dhe informacionit që Policia gjermane i ka përcjellë Policisë shqiptare do të hedhim dritë mbi këtë ngjarje tragjike, por të mbuluar me mister.
Më datë 27 shkurt 2025, në orën 12 e 36, në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është njoftuar se te rruga “Gjon Muzaka”, mbrapa Njësisë Administrative Nr.10, në banesën nr.14, telefonuesja, Ardita Agovi, ka dhënë banesën me qira me “R BNB”. Mbasi personat nuk janë përgjigjur është futur në banese dhe ka gjetur një person të shtrirë që nuk përgjigjej.
Kanë kaluar shërbimet e Policisë dhe të Urgjencës, ku nga shërbimet e Urgjencës është konfirmuar se personi është pa shenja jete, e seksit femër, rreth 30 vjeçe dhe me pas ka kaluar grupi hetimor.
Menjëherë pas kësaj telefonate është formuar grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë dhe u shkua në adresën e dhënë. Banesa në fjalë ndodhet në një vilë 3-katëshe, në katin e tretë të saj, e cila ndodhet mbrapa Njësisë Nr.10. Në dhomën e gjumit të këtij apartamenti, sipër krevatit është gjetur e shtrirë përmbys kufoma e seksit femër, në pozicion të dorës së djathtë e mbështetur mbi të dhe futur në pjesën e barkut. Në pjesën e krevatit ku ndodhej e shtrirë viktima, dalloheshin njolla të kuqe si ato të gjakut, si dhe në pjesë të ndryshme të trupit të saj, kryesisht gjoks, fytyrë, flokë, etj., kishte shenja me ngjyrë të kuqërremte.
Ka rezultuar se viktima kishte dy plagë të shkaktuara nga një thikë, një në kraharor dhe një poshtë shpatullës, në shpinë. Fillimisht identifikimi i saj ka qenë i vështirë, pasi apartamenti ishte pastruar nga autori i krimit, i cili përveç zhdukjes së provave, kishte marrë me vete edhe mjetet e identifikimit.
Por gjithçka ka nisur të zbardhet përmes dëshmive të personave që i kishin takuar dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë.
Policia ka sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike të subjekteve të ndryshme pranë banesës dhe përgjatë itineraret që dy shtetasit e huaj kanë përshkuar për t’u afruar te banesa.
Nga verifikimet rezulton se, më datë 19 shkurt 2025, në orën 15:13 në ambientet e terminalit të Aeroportit të Rinasit, në hyrje, shfaqet së bashku një burrë dhe një vajzë. Vajza e identifikuar me emrin Rayan Alwan, e datëlindjes 8 gusht 2001 dhe burri me emrin Fadi Alwan i datëlindjes 1 janar 1976.
Po në të njëjtën datë, në orën 18:19 këta të dy persona shfaqen duke hyrë në një agjenci imobiliare që ndodhet pranë zonës së “Shallvareve”, në Tiranë, ku komunikojnë me një punonjës të agjencisë. Në orën 18:41, ata përshëndeten me punonjësin duke i dhënë dorën dhe më pas largohen.
Në orën 19:12 ata shfaqen në rrugën “Gjon Muzaka” dhe përpara portës së oborrit të një banese 3-katëshe, në pronësi të shtetasit Abby Alvora, takohen me një person të identifikuar si shtetasi Adnan Zyma. Më pas dy shtetasit e huaj Rayan Alwan dhe Fadi Alwan futen në oborrin e banesës të marrë me qira dhe ngjisin shkallët.
Më datë 20 shkurt 2025, në orën 13:19, Fadi Alwan shfaqet duke dalë nga oborri i banesës dhe rikthehet sërish aty në orën 13:40, me një kuti në dorë në dukje si ato të picave. Po në të njëjtën datë Fadi Alwan del nga shtëpia e marrë me qira në orën 18:33 dhe kthehet në orën 19:12.
Më datë 21 shkurt 2025 shtetasi Fadi Alwan del nga shtëpia në orën 11:25 dhe kthehet në orën 12:00. Ndërsa më datë 22 shkurt 2025 ai shfaqet duke dalë nga banesa në orën 05:23 dhe në duar mban dy qese plastike, njëra me ngjyrë të bardhë dhe tjetra me ngjyrë të zezë.
Ky është momenti i fundit që ai është parë në zonë, kur mendohet se pak para kësaj ore ai ka realizuar vrasjen e të bijës, ka pastruar skenën e krimit dhe ka fshehur provat. Më pas nga verifikimet rezulton që është larguar drejt Greqisë. Nga aty ka udhëtuar drejt Holandës. Nga Holanda ka shkuar në Belgjikë dhe në fund ka udhëtuar drejt Libanit, ku edhe mendohet se ndodhet aktualisht.
Koha e saktë se kur ka ndodhur krimi ende nuk është përcaktuar nga mjekët ligjorë, por nisur nga verifikimet e para dyshohet se Rayan Alwan mund të jetë vrarë mbrëmjen e 21 janarit. Ndërsa trupi i pajetë i sa është zbuluar 6 ditë më vonë. Referuar dosjes hetimore, rezulton se në vendngjarje janë gjetur shumë pak prova.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ndër të tjera janë sekuestruar: 2 jorganë, njëri me ngjyrë të bardhe dhe tjetri me kuadrate bardh e zi, një këllëf jastëku me ngjyrë gri, një çarçaf me ngjyre gri, 4 tamponë sterilë marrë në dyert e dhomave të banesës, dy tamponë sterilë me njolla me ngjyrë të kuqe si ato të gjakut, mbetje gjaku dhe suvaje e marrë në murin e dhomës së gjumit të banesës, Një kartopecetë me ngjyrë të bardhë, një peshqir me ngjyrë të bardhë, 5 gjurmë papilare marrë me gjurmëkopjues transparent, një orë dore me ngjyrë të verdhë me mbishkrimin “Rovina”, një çante me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “Versaçe”, një bluzë me kuadrate, një triko me ngiyrë të zezë, një shall me ngjyrë të zezë, një karficë me ngjyrë të zezë, 2 çorape me ngjyrë të zezë, 2 atlete me ngjyrë të bardhë, si dhe sende dhe orendi të ndryshme shtëpiake, të cilat do u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme laboratorike.
Të gjitha këto prova, kryesisht biologjike, po ekzaminohen në Laboratorin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar përveç vrasjes edhe faktin nëse ka pasur abuzim seksual apo jo.
Apartamenti ku ka ndodhur krimi ka qenë shumë modest. Në hyrje, në një zonë që shërbente më tepër si paradhomë, ndodhej një kolltuk dysh, ndërsa në dhomën e gjumit ishte vetëm një krevat treçerekësh. Kjo ka hedhur edhe më shumë dyshime për raportin mes viktimës dhe autorit që për disa ditë me radhë nuk ishte saktësuar nëse ishin çift apo babë e bijë. Megjithatë, deri në përfundim të analizave laboratorike, nuk përjashtohet edhe një histori e mundshme abuzimi, por as incesti.
Madje një media holandeze, e thotë që në titull që babai mund ta ketë përdhunuar vajzën dhe më pas e ka vrarë. Megjithatë ekspertët thonë se është ende shpejt për ta përcaktuar këtë.
E teksa për ditë me radhë ngjarja ishte e mbuluar me mister dhe oficerët e grupit hetimor ishin ende në mëdyshje për të përcaktuar saktë raportin mes viktimës dhe autorit, një informacion i përcjellë nga Policia gjermane i ka dhënë fund dilemave. Policia shqiptare kishte kërkuar të dhëna nga autoritetet gjermane, duke qenë se viktima dhe autori jetonin prej vitesh në Berlin.
Më datë 4 shkurt 2025, Policia lokale e Berlinit, ka nisur një informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku sqaron jo vetëm raportin mes viktimës e autorit, por edhe disa problematika që ata kishin pasur në familje.
Policia gjermane sqaron se në të shkuarën, Rayan Alwan, ka qenë e kërcënuar nga familja e saj, konkretisht babai, Fadi Alwan, 49 vjeç, nëna Rania Mustafa, 35 vjeçe dhe dy vëllezërit, Mahmud Alwan, 25 vjeç dhe Salim Alwan, 20 vjeç.
Autoritetet gjermane informojnë se kjo ishte denoncuar nga vetë vajza, 25-vjeçarja Rayan Alwan, më 3 janar të vitit 2024. Në denoncimin e saj në Policinë e Berlinit, vajza kishte deklaruar se është kërcënuar me vdekje nga prindërit dhe vëllezërit, për shkak të dëshirës së saj për të bërë një jetë të lirë dhe perëndimore.
Ajo çfarë bie në sy nga informacioni i përcjellë nga Policia gjermane, është fakti se Rayan Alwan kishte qenë e martuar, madje kishte edhe dy fëmijë. Por ajo ishte divorcuar para 3 vitesh, pra në vitin 2022 dhe ish-bashkëshorti i saj bashkë me dy fëmijët, supozohet se jetojnë në Liban. Autoritetet atje konfirmojnë se ky ka qenë kallëzimi i vetëm i saj dhe nuk ka pasur ankesa të tjera.
Por diçka edhe më e dyshimtë del në skenë nga informacioni që ka sjellë në Shqipëri Policia e Berlinit. Dhe kjo ka të bëjë pikërisht me datën kur atje është bërë një tjetër denoncim nga nëna e saj, Rania Mustafa.
Një ditë para se vajza e saj të gjendej e vrarë në Tiranë, pra më 26 shkurt 2025, ajo e ka denoncuar të bijën për zhvatje në Policinë e Berlinit. Nëna e 24-vjeçares ka deklaruar në kallëzimin e saj se ekziston një video e së bijës, ku ajo shfaqet duke u falur e zhveshur. Kjo video i ishte dërguar nënës nga një adresë false në dhjetor të vitit 2024 për ta shantazhuar dhe për këtë arsye ajo thotë se i ka dhënë disa herë para të bijës për t’ua dorëzuar “autorëve” të supozuar që i bënin presion. Ajo deklaron se paratë i ka dorëzuar gjithmonë e bija, e cila i ka thënë se i ka transferuar përmes një agjencie “Ria Moneytrafser”. Transfertat janë bërë gjithmonë pa praninë e nënës me pretendimin se po plotësoheshin kërkesat e zhvatësve. Por nëna e viktimës nuk e përjashton mundësinë që pas kësaj historie shantazhi qëndronte vetë vajza e saj.
Në kallëzimin e saj, Rania Mustafa shprehet se më 19 shkurt 2025, vajza e saj kishte fluturuar drejt Shqipërisë, e shoqëruar nga i ati, Fadi Alwan, me të cilin ajo thotë se është e divorcuar dhe nuk jetojnë më bashkë. Ajo pretendon se pikërisht gjatë qëndrimit në Shqipëri vajza mund t’i ketë treguar videon të atit dhe për këtë arsye mund të kenë lindur mosmarrëveshje.
Ky është informacioni që është përcjellë në Tiranë nga Policia e Berlinit. Por çfarë e bënte të dyshimtë kallëzimin e nënës së viktimës, është pikërisht data kur ajo është paraqitur në Polici atje. Pra një ditë para se vajza të gjendej e vrarë. Minimalisht, në formë zyrtare ajo ende nuk kishte marrë informacion që vajza e saj kishte vdekur. Por nuk përjashtohet mundësia që atë e ka lajmëruar vetë autori i krimit, Fadi Alwan, i cili ndërkohë ishte larguar nga Shqipëria që prej datës 22 shkurt, menjëherë pas vrasjes.
Nëse një histori e tillë shantazhi është e vërtetë, apo po krijohet një alibi nga familja e viktimës, kjo mbetet e pa sqaruar. Por bëhet edhe më e dyshimtë për faktin se përse nuk ishte denoncuar më parë, pasi nëna e Rayan Alwan pretendon se kishte nisur që në dhjetor të vitit 2024. Por edhe më i dyshimtë është fakti se përse babë e bijë vendosën të largoheshin bashkë nga Gjermania dhe pse zgjodhën pikërisht Shqipërinë.
Por si erdhën në Tiranë babë e bijë dhe si u akomoduan në apartamentin ku ndodhi vrasja dy ditë pasi mbërritën. Policia u ka marrë deklarime të gjithë personave që kanë pasur kontakte me ta gjatë qëndrimit në Shqipëri. Por ajo që bie në sy është fakti se vajza nuk ka dalë nga apartamenti në asnjë moment, përveç ditës kur kanë ndërruar vendin e qëndrimit, nga kati i parë në katin e tretë. Ai që ka dalë disa herë është vetëm babai i saj, autori i dyshuar i vrasjes.
Është marrë në pyetje si person që ka dijeni për ngjarjen, shtetasja Ardita Agovi, e cila është pronarja e apartamentit ku u gjend e pajetë Rayan Alwan. Ajo ka deklaruar se:
Në datën 27 shkurt 2025, rreth orës 09:45 kam shkuar në banesën e djalit tim, i cili quhet Abby Alvora. Banesë ndodhet në rrugën “Gjon Muzaka”, Njësia Administrative Nr.10, Bashkia Tiranë dhe konkretisht tek banesa Nr. 14, e cila është një godinë 3-katëshe. Këtë ndërtesë në muajin shtator të vitit 2024 e kam përshtatur si një ambient ku mund të qëndrosh me qira ditore ose javore. Atë ditë kam shkuar për të pastruar hyrjet në katin e parë të banesës dhe gjatë kohës që isha duke punuar, kam telefonuar një miku tim, i cili quhet Adnan Zyma dhe i kam kërkuar të afrohej në banesë për të parë dhe kontrolluar disa punime që kishim kryer një ditë më përpara dhe konkretisht disa vendosje kondicionerësh. Pasi ai ka mbërritur, kemi biseduar dhe kontrolluar punimet që ishin bërë në katin e dytë dhe te tretë ato hyrje që janë në rikonstruktim.
Në dëshminë e saj ajo sqaron edhe momentin kur është gjetur trupi i pajetë i vajzës, që sipas saj e ka konstatuar miku i saj, i cili është futur në banesë dhe më pas kanë lajmëruar Policinë.
Kur kemi shkuar në katin e tretë, kemi filluar të bisedonim në lidhje me klientët, të cilët kishin marrë me qira hyrjen në të majtë, konkretisht apartamenti nr.1 në katin e tretë. Ata nuk u ishin përgjigjur mesazheve që u kishte dërguar Adnani njërit prej tyre dhe aty vendosëm t’i binin derës. Duke qenë se dera nuk po hapej, kemi shkuar dhe kemi marrë çelësin rezervë. Kemi hapur derën dhe Adnan Zyma është futur brenda. Dera e dhomës së gjumit ka qenë e mbyllur por Adnani e hapi. Pasi u fut brenda ka vënë re që krevati ishte i mbuluar dhe dhoma mbante një erë të çuditshme dhe shumë të rëndë. Mbi krevat kishte rroba të një femre. Ai më tha se poshtë jorganit dyshonte se ishte një njeri dhe se mund t’i kishte ndodhur diçka e rëndë, nisur edhe nga era që kundërmonte aty. Menjëherë kam njoftuar Policinë që më pas erdhi në vendngjarje.
Oficerët e Policisë e kanë pyetur se si janë akomoduar ata në apartamentin që ajo jep me qira, apartament që kushtonte 40 euro nata, por rezulton që nuk është paguar, pasi kishin rënë dakord që do të paguhej në fund, pas qëndrimit 2-javor.
Më datë 19 shkurt 2025 jam telefonuar nga Adnan Zyma, rreth 19:00. Ai më ka thënë se kishte një rast për dy klientë të huaj për të qëndruar në një nga apartamentet që unë disponoj. I thanë që mund t’u prezantonte apartamentin pasi vetë e kisha të pamundur të shkoja, pasi isha sëmurë. Ai më tha më pas në telefon se ua kishte prezantuar apartamentin diku rreth orës 19:30 dhe kishin rënë dakord për të qëndruar për një periudhe 2-javore dhe konkretisht tek hyrja në të majtë, apartamenti në katin e tretë. Kam këmbëngulur që atë natë, pra më 19 shkurt, të qëndronin në katin e parë pasi vendi që ata zgjodhën nuk ishte në kushte optimale dhe kështu vepruan ditën e parë. Kanë qëndruar në katin e parë. Ndërsa të nesërmen, rreth orës 18:00 kanë kaluar te hyrja në të majtë, apartamenti nr.1, në katin e tretë.
Është pyetur nëse është takuar ajo dhe çifti i huaj me njëri-tjetrin apo gjithçka është kryer nga miku i saj Adnan Zyma dhe ajo ka deklaruar se në datën 19 shkurt është takuar vetëm Adnani, ndërsa ditën e dytë, pra më 20 shkurt, rreth orës 18:00, në momentin që do kalonin tek hyrja tjetër në katin e trete, ka qenë ajo së bashku me Adnanin dhe çiftin.
Më sa kujtoj ata ishin të dy në dukje të rinj, djali kishte karakteristika në dukje si shtetas arab, pak zeshkan, i gjatë rreth 1 e 70, me konstrukt normal, kurse vajza ishte me shami, e mbuluar, edhe ajo njësoj, si arabe dhe pak zeshkane, rreth 1 e 60 e gjatë, me konstrukt pak e shëndetshme, me fytyrë rrumbullake.
Është pyetur se cila ka qenë biseda e saj në ato momente kur janë takuar me çiftin e huaj dhe ajo ka deklaruar se ata kishin ardhur pa asnjë bagazh me vete dhe i ka bërë përshtypje, duke qenë se do qëndronin për një periudhe dyjavore. E ndodhur në këtë situate u ka kërkuar dokumentet e identifikimit si procedurë për të qenë më korrekte, por i kanë thënë se i kanë tek valixhet që i kishin lënë në makinë. Biseda e tyre ka qenë rreth akomodimit dhe ndonjë nevoje që ata mund të kishin, duke qenë se apartamenti nuk ishte në kushtet optimale dhe që të mos u mungonte ndonjë gjë bazike
Nuk kam vënë re asnjë problematikë mes çiftit të huaj ditën kur jemi takuar apo ndonjë sjellje të çuditshme. Dukeshin të kënaqur, të buzëqeshur dhe të jepnin përshtypjen e një çifti real dhe të dashuruar. Nga data 20 shkurt unë nuk i kam parë më, ndërsa Adnani që ka pasur edhe kontakt me numrin e telefonit, u ka ofruar ndihme për ndonjë nevojë të mundshme. Në dijeninë time, nuk di të jenë takuar më së bashku.
Është pyetur se kush i menaxhon tjetër hyrjet e banesave përveç saj dhe ka deklaruar se në shumicën e rasteve, për të mos thënë gjithmonë, merrem ajo dhe në ndonjë rast merret djali saj, Abby Alvora ose miku i saj Adnan Zyma. Ndërsa ka sqaruar se këto banesa i janë dhuruar djalit të saj nga i ati para disa kohesh, rreth një vit më parë dhe më pas janë investuar dhe administruar nga ajo dhe djali i saj. Kanë gjithsej 8 hyrje dhe ka secila çelësat e ndarë, ku hyrjet me qira afatgjatë kanë çelësat e tyre, kurse hyrjet e tjera kanë rreth tri kopje çelësash, të cilat i kanë të ndarë respektivisht, një Ardita Agovi, një djali i saj dhe një Adnani. Kjo për faktin se kush është më i disponushëm, në varësi të kërkesave, shkon dhe jep çelësin për një klient të mundshëm.
Është marrë në pyetje si person që ka dijeni për ngjarjen shtetasi Adnan Zyma, i cili ka deklaruar se prej disa vitesh është i vetëpunësuar si guidë turistike për turistë të huaj të ndryshëm, që vijnë në vendin tonë. Në lidhje me ngjarjen e datës 27 shkurt 2025, ku në banesën që shtetasja Ardita Agovi, e njohura e tij, jep me qira, pranë “Rrugës së Bogdanëve”, është gjetur e pajetë një shtetase e huaj, është pyetur nëse e njeh dhe a ka kontaktuar të më parë, si dhe si kanë marrë dijeni për ngjarjen.
Më datë 19 shkurt 2025, rreth orës 18:30 më ka telefonuar shtetasi Ledion Xhoxha, i cili është mik i imi dhe punon si agjent imobilar, në zonën e “Shallavareve”, në Tiranë. Duke qenë se e kam shok prej vitesh, ai e di që kam miqësi me Ardita Agovin, ẹ cila jep banesa me qira ditore ose mujore me adresë pranë “Rrugës së Bogdanëve”. Këto apartamente më së shumti jepen dhe prenotohen nëpërmjet faqeve RBNB dhe Booking. Ledioni më ka thënë që në zyrën e tij kishin shkuar dy shtetas të huaj, gjermanë, të cilët po kërkonin një apartament për të qëndruar me qira për 2 javë në Tiranë. Duke qenë se ata nuk e ofronin këtë shërbim ai më ka kërkuar të pyesja Arditën nëse ajo kishte apartament të lirë për 2 javët që kërkonin të huajt të qëndronin më qira.
Guida ka treguar momentin e takimit me dy shtetasit e huaj dhe se si i ka ndihmuar që të akomodoheshin në apartament. Ajo që bie në sy është fakti se ndryshe nga momenti kur shfaqen në kamerat e Aeroportit të Rinasit, ku vajza nuk ishte e mbuluar, në kohën kur ai i ka takuar vajza kishte shami në kokë.
Pas bisedës me Ledionin kam telefonuar Arditën duke i treguar për dy shtetasit e huaj dhe nëse kishte banesë të lirë. Ajo më tha që kishte dhe unë telefonova sërish Ledionin dhe i thashë që mund të shkonin tek banesa e Arditës. Ledioni u kishte dhënë atyre numrin tim dhe pasi me telefonuan u dërgova lokacionin e banesës në fjalë. Më pas u nisa edhe vetë për aty dhe kam qëndruar te kryqëzimi i “Rrugës së Bogdanëve” me rrugën që e çon te Njësia nr.10 dhe më pas te banesa ẹ Arditës. Te numri i telefonit qe u kisha nisur lokacionin në WhatsApp ata nuk kishin foto, por kam parë në trotuar personat që kalonin me karakteristika të shtetasve gjerman, si dhe për persona që kishin valixhe. Rastësisht më ka zënë syri, që në ardhje nga Rruga e Kavajës, ishin një burrë dhe një grua që po kalonin në trotuar. I fiksova sepse gruaja ishte me shami në kokë dhe prandaj më ranë në sy. Pasi kaluan disa minuta që po prisja aty, më ka ardhur një mesazh në WhatsApp, me fjalë në gjuhën angleze, ku më thanë që kishin ardhur në adresë dhe me pyetën se ku ishte.
Pas mesazhit, Adnan Zyma thotë se i ka telefonuar në atë numër që të sqarohej se ku ishin konkretisht. Në telefon i është përgjigjur një femër, e cila ka folur shumë pak, herë anglisht e herë gjermanisht dhe nuk po arrinte që të kuptohej me të. Gjatë bisedës në telefon ka kuptuar se ishin ata që ai kishte parë të kalonin rrugën.
Ata të dy ishin rreth moshës rreth 30-35 vjeç. Mesa mbaj mend, burri ishte i veshur me xhup të zi, ishte me flokë të zeza të rëna, me mjekër jo shumë të gjatë me gjatësi normale, rreth 1 e 75, me trup të mbushur. Kurse vajza ishte me gjatësi pak a shumë sa ai, kishte veshur veç shamisë edhe një xhup me kuadrate, me sa mbaj mend i bardhë me të zezë, atlete të bardha, kurse ngjyrën e flokëve nuk ia kam parë, pasi ishte me shami. Sapo jam afruar tek ata dhe jemi përshëndetur, kam kuptuar që ata nuk dinin anglisht, flisnin në gjuhën arabe. Zonja më drejtoi telefonin e saj, i cili ishte i hapur në faqen “Google Translate” dhe pasi e kam marrë ka shkruar aty në anglisht dhe më pas në përkthim në gjuhën arabe. Ajo më tha se do qëndronin për dy javë dhe se momentalisht nuk i kishin dokumentet me vete sepse së bashku me valixhet u kishin ngelur në aeroport dhe po prisnin t’ju vinin. Sapo t’i merrnin dokumentet bashkë me valixhet do mi vinin në dispozicion.
I gjithë komunikimi i tyre është zhvilluar në këtë mënyrë, pra përmes “Google Translate” dhe gjatë bisedës vajza i ka thënë se ishte nga Palestina, ndërsa personi që e shoqëronte ishte nga Libani. Ajo i ka thënë se të dy kishin udhëtuar në shumë vende të botës dhe se aktualisht jetonin në Gjermani. Konkretisht në Berlin, vend dhe prej nga ku kishin ardhur në Shqipëri.
Ajo nuk më ka treguar se çfarë lidhje kishte me personin që ishte me të, nëse e kishte bashkëshort, të afërm, apo mik dhe as unë vetë nuk i kam pyetur sepse ishte diçka e parëndësishme për mua. Pas disa minutash kemi hyrë në banesën 3-kateshe, në të cilën ndodhen apartamentet që Ardita jep me qira dhe i kam akomoduar në apartamentin që ndodhej në katin e parë duke u dakordësuar më parë me të dy ata, që do të rrinin vetëm një natë në katin e parë, pasi të nesërmen ishte i prenotuar dhe më pas do të ngjiteshin në katin e tretë te një apartament, që ishte i pabanuar më parë por nuk kishte asnjë orendi përveç mobilieve dhe Ardita do i blinte të nesërmen që ta bënte funksional apartamentin. Pasi u kam hapur derën e apartamentit dhe pasi ata hynë të dy brenda, unë jam larguar.
I pyetur nëse ka vënë re ndonjë gjë të dyshimtë mes tyre, ai ka deklaruar se në fakt dukeshin shumë normal dhe të qeshur me njëri – tjetrin. Nuk ka konstatuar ndonjë problem mes tyre.
Gjatë gjithë kohës që kam bashkëbiseduar me ta, dukeshin shumë normal me njëri-tjetrin, ishin të qeshur dhe të jepnin përshtypjen që donin ta merrnin apartamentin, të qëndronin dhe madje dhe kur iu thashë që do qëndronin një natë në këtë apartament dhe të nesërmen do e ndërronin ata ishin dakord. Vajza ishte ajo që dukej më këmbëngulëse që të qëndronin në këtë apartament dhe donin të qëndronin që atë natë te apartamenti ku nuk kishte orendi të mjaftueshme për të qëndruar.
Ai tregon se pasi ka komunikuar me Arditën duke e vënë në dijeni atë qe këta dy persona u akomoduan, ajo i kërkoi që meqenëse ishte ai që i ka kontaktuar, të vazhdonte të qëndronte si pikë kontakti me ata për çdo problem që do të kishin në lidhje me apartamentin apo kërkesa të ndryshme. Të nesërmen, pra në datën 20 shkurt, rreth orës 17:00, ai ka shkuar dhe i ka lëvizur nga kati i parë i banesës për në katin e tretë. Ndërsa rreth orës 18:40 ata i kanë shkruar në WhatsApp nga një numër me prefiks gjerman, me të cilin komunikuan dhe një ditë më parë, ku i kanë kërkuar çarçaf tjetër pasi u duhej për shkak se ishte pak ftohtë. Guida deklaron se ka qenë pranë banesës kur ata i kanë shkruar dhe se bashkë me Arditën ju kanë vendosur një batanije në çantë. Pasi ka trokitur në derë, ata kanë dalë të dy dhe pasi morën batanijen u përshëndetën dhe mbyllën derën. Ndërsa një ditë më pas, më 21 shkurt, ai po në të njëjtin numër u ka nisur me foto një makineri kafeje duke iu thënë se ishte për ata dhe e kishte lënë Ardita pranë derës së tyre.
Duke qenë se mesazhi i tij vazhdonte prej 3 ditësh me një vijë, pra rezultonte që nuk u kishte shkuar dhe as nuk ishte lexuar, pronarja e shtëpisë i ka thënë guidës se nuk i kishte parë as dokumentet e tyre, pasi ata nuk i kishin sjellë. Për këtë arsye, Adnan Zyma, më 27 shkurt, rreth orës 11:30, së bashku me Arditën vendosën të shkonin të trokisnin në derë, t’u merrnin dokumentet dhe t’u ndërronin peshqirët.
Pasi kemi shkuar në katin e tretë dhe kemi trokitur shumë herë në derën e jashtme, nuk kemi marrë përgjigje dhe për këtë arsye kemi marrë çelësin kopje dhe e hapëm derën. Hymë në apartament duke folur anglisht, duke thënë “Hello”, me idenë se ata mund të ishin në gjumë, por nuk morëm përgjigje. Kemi shkuar në dhomën e gjumit, ku dera ishte e mbyllur dhe pasi trokitëm disa herë e hapëm vetë. Kemi parë se mbi krevat ndodhej një njeri i mbuluar me batanije dhe dhoma kundërmonte nga një erë e rëndë. Duke qenë se bërtitëm dhe thirrëm disa herë e nuk morëm përgjigje, por edhe aroma ishte shumë e rëndë, dyshuam se ndoshta mbi krevat i mbuluar ishte trupi i ndonjë prej dy shtetasve që rrinin aty me qira dhe dyshuam se mund të kishte ndërruar jetë. Dolëm nga apartamenti dhe njoftuam menjëherë Policinë duke i pritur derisa erdhëm për të shpjeguar situatën.
Ai ka deklaruar se në asnjë nga ditët që ka qenë në këtë banesë nuk ka dëgjuar zhurma dhe as Ardita nuk kishte dëgjuar zhurma ose zëra të vinin nga apartamenti ku ata po qëndronin, që t’u kishte krijuar idenë se ata po konfliktoheshin. Adnan Zyma është pyetur nëse mund ta identifikonte përmes një fotoje të nxjerrë nga sistemi TIMS, vajzën me të cilën ai ishte komunikuar, pra Rayan Alwan dhe ai ka deklaruar se pasi e shikon fotografinë e saj, në pjesën e mimikës së fytyrës, sytë, buzët dhe mollëzave, ai mendon se kjo është vajza që erdhi bashkë me personin tjetër për të qëndruar me qira. Por fotografia që i është treguar, kjo vajzë ishte e pa mbuluar, ndërsa në momentin që ai i kishte takuar, ajo ishte e mbuluar me shami. E njëjta procedurë njohje me fotografi është bërë edhe për burrin që e shoqëronte, autorin e dyshuar Fadi Alwan, të cilin ai e ka njohur menjëherë. Shtetasit Adnan Zyma i është bërë edhe këqyrja e pjesshme e telefonit celular, lidhur me komunikimet në gjuhë të huaj me numrin me prefiks gjerman, në aplikacionin WhatsApp, me të cilin ai kishte komunikuar me dy shtetasit palestinezë.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen edhe djalin e gruas që administronte apartamentet me qira. Ai ka shpjeguar më tepër se si e kishin ndërtuar biznesin e tyre familjarë, të cilin e kishin të reklamuar edhe në “Booking”. Ka shpjeguar se për rastin është njoftuar nga e ëma, e cila ishte telefonuar nga një agjent imobiliar, por nuk vetë nuk i ka takuar dhe nuk i ka njohur.
Nisur nga deklarimet e këtyre personave, është pyetur edhe agjenti imobiliar, Ledion Xhoxhaj, i cili ka shpjeguar momentin e takimit me dy të huajt, në zyrën e agjencisë ku punon në zonën e “Shallvareve”. Ai ka treguar se në pamje këta dy persona dukeshin si shtetas arab dhe komunikimi me ta ka qenë me “Google Translate”, nga arabishtja në anglisht. Ata kërkonin një apartament me qira për dy javë. Ai i ka sugjeruar mikun e tij, Adnan Zyma dhe ka komunikuar me të, duke rënë dakord për një dhomë me 40 euro nata dhe më pas i ka dhënë të huajve numrin e mikut të tij që të lidheshin vetë me të.
Ai ka sqaruar se shtetasit e huaj i kanë thënë se kishin ardhur për turizëm dhe se do të shkonin edhe në Mal të Zi e Greqi, por nuk e mbante mend mirë pasi kishin kaluar 8 ditë. Ka bërë dhe një përshkrim fizik të tyre, të ngjashëm me përshkrimin që kishin dhënë edhe dy personat e tjerë të pyetur më parë. Po ashtu ka sqaruar se ata nuk kishin çanta apo valixhe me vete, përveç çantës që mbante burri. Edhe ai i ka identifikuar përmes fotografive që i janë treguar nga oficerët e Policisë.
Nga çfarë rezulton deri në këtë fazë të hetimeve, duket se Fadi Alwan, një personazh misterioz, kishte planifikuar gjithçka. Duket si një histori e mirëmenduar nga ai ne disa aspekte. Një shtetas palestinez që jeton në Gjermani, i pajisur me dokumente greke por edhe kosovare, që po verifikohet se si janë siguruar nga ai, vjen në Shqipëri bashkë me të bijën. Shprehet se janë turistë dhe do vizitojë edhe Malin e Zi e Greqinë. Por, pavarësisht rezervimit të apartamentit për 2 javë, në fakt ai qëndron vetëm dy ditë. Kaq i ka mjaftuar për t’u akomoduar, për të vrarë të bijën e më pas për t’u larguar i qetë pa u vënë re nga askush.
Sot ai është një person në kërkim nga Policia shqiptare, që sipas të dhënave po strehohet në Liban. Për grupin hetimor tashmë është e provuar se ai është autori i vrasjes së të bijës, Rayan Alwan. Por se cili është motivi i kësaj ngjarje, askush nuk e di me siguri.
Informacioni që autoritetet gjermane i përcollën Shqipërisë po verifikohet me përparësi. Por përveç denoncimit të që viktima kishte bërë më 3 janar të vitit 2024 në Policinë e Berlinit, për kërcënim nga familjarët e saj, çdo gjë tjetër shihet me dyshim. A ekziston vërtetë një video shantazhuese siç pretendoi nëna e saj në Policinë gjermane, një ditë para se vajza e saj të gjendej e vrarë në Tiranë. A është vërtetë kjo video shkaku i vrasjes së saj nga babai, apo është një histori edhe më e rëndë se kaq? Kjo mbetet ende mister. Ashti siç mbetet mister fakti se përse Fadi Alwan zgjodhi Shqipërinë për të realizuar krimin. E vetmja gjë e vërtetë e gjithë kësaj historie tragjike, që sot dihet me siguri është që babai vrau brutalisht vajzën duke e goditur dy herë me thikë./abcnews.al