Muli po mblidhte sot raportet nga të gjitha degët e Tiranës për mënyrën se si ishte festuar 8 Marsi nga gratë demokrate.
Raportet ishin të shkëlqyera.
Në të gjitha njësitë, festat e grave demokrate kishin nisur me vallen e Tropojës dhe kishin përfunduar me këngën për Sali Berishën.
Atmosfera në të gjitha festat kishte qenë shumë optimiste.
— Ka pasur vetëm një devijim te njësia 8, — tha Muli. — Ajo Tabaku ka kërkuar që të nisë festa me Napolonin. Por disa gra demokrate të vërteta nuk kishin pranuar. “Pa u vendos këtu kënga e Sali Berishës, nuk vallzojmë!” — thanë. Dhe më në fund e vunë edhe ata.
— Kjo është gjë e mirë, — tha Lelo, — pasi gratë demokrate kanë nisur festën e tyre me vallen e Tropojës, e cila është edhe pasuri e UNESCO-s. Quhet “Kçimi i Tropojës”.
— Në të gjitha rastet, ne do themi që gratë demokrate janë gra elitare, se kanë nisur festën me një valle që është pasuri e UNESCO-s, ndërsa këto socialistët nuk dinë me çfarë valle ta nisin.
— Kjo është ide e mirë, — tha Muli. — Se janë disa që thonë që është e tepërt kjo, që duhet të kërcejmë dhe me vallen e Tropojës.
— Përkundrazi, — tha Lelo, — ajo është vlerë e partisë sonë, pavarësisht se e kanë futur këta socialistët në UNESCO.
— Por unë mendoj që po aq krenarë duhet të jemi edhe për mbylljen me këngën e Sali Berishës. Është i vetmi lider që ka një këngë që është njëkohësisht edhe vijë melodike për valle. Këta të tjerët nuk kanë këngë të tilla.
— E vërtetë, — tha Muli. — I bie që ne të jemi 2 me zero me socialistët për vallet që kërcejmë në festa. Kështu do vazhdojmë me fitore deri më 11 Maj!