Autoriteti qendror zgjedhor i Rumanisë ndaloi të dielën kandidatin ekstremist pro-rus Calin Georgescu nga gara për raundin e përsëritur të zgjedhjeve presidenciale të majit.Refuzimi i kandidaturës së tij, i dënuar nga liderët e partive të ekstremit të djathtë si jodemokratik, mund të shkojë në gjykatën kushtetuese.
Dhjetëra mbështetës të populistit Georgescu u mblodhën jashtë zyrës zgjedhore duke brohoritur “Liri” dhe për pak tentuan të kalonin kordonin e sigurisë.
Georgescu dorëzoi kandidaturën e tij për raundin e përsëritur të votimit të majit të premten, mes dyshimeve se nuk do t’i lejohej të garonte.
Gjykata më e lartë e Rumanisë e anuloi votimin dy ditë përpara raundit të dytë në dhjetor, duke përmendur akuzat për ndërhyrje ruse në favor të Georgescut, të cilat Moska i ka mohuar.
Anëtarë të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e cilësuan anulimin e zgjedhjeve në Rumani si një shembull të qeverive evropiane që shtypin lirinë e fjalës dhe kundërshtarët politikë. Miliarderi i teknologjisë dhe këshilltari i Trumpit, Elon Musk, e quajti vendimin e autoritetit zgjedhor “të çmendur” në platformën e tij sociale X.
Georgescu është nën hetim penal për gjashtë akuza, duke përfshirë anëtarësimin në një organizatë fashiste dhe shpërndarjen e informacioneve të rreme mbi financimin e fushatës. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.