Kombëtarja shqiptare e futbollit duket se do ketë risi në grumbullimin e parë për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Trajneri Sylvinho është bindur nga aftësitë e kapitenit të Kosovës U-21, Etnik Brruti, me këtë të fundit që sipas medieve dardane ka konfirmuar kalimin te Shqipëria, duke cituar trajnerin Tovërlani. Ky i fundit nuk është ndalur dhe ka sulmuar FSHF-në dhe Armand Dukën, duke thënë se nuk kanë forcë të punojnë për dy ekipe.
Situata me Etnik Brrutin
Mesfushori i Kosovës U-21 është pjesë e Malishevës në kampionatin vendas dhe mban shiritin e kapitenit në përfaqësuese. Paraqitjet e mira bënë që trajneri i Dardanëve, Franco Foda, ta ftonte në një “zbor” disa ditore, mirëpo pa e grumbulluar me ekipin e parë.
Tanimë gjërat duket se kanë ndryshuar dhe mediet në Kosovë bëjnë me dije se Etnik Brruti ka pranuar të jetë pjesë e Shqipërisë, dukshëm për dy ndeshjet e Kombëtares për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, kundër Anglisë në Londër më 21 mars dhe kundër Andorrës më 24 mars në Tiranë.
Trajneri i Kosovës U-21 sulmon FSHF-në dhe Armand Dukën
Për Telegrafin, trajneri i Kosovës U-21, Afrim Tovërlani ka konfirmuar ftesën për Etnik Brruti dhe dëshirën e mesfushorit për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ai ka thënë se Brruti kërkon një pasaportë shqiptare pasi disa agjentë “po e mashtrojnë” dhe ai kërkon të kalojë në ligën ruse.
Veç saj, Tovërlani ka sulmuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kreun e saj Armand Duka, duke i bërë apel për t’i lënë këto ftesa, pasi Kosova nuk ka fuqi të punojë për dy ekipe.
“Po, Etniku na ka treguar se po e zgjedh Shqipërinë. Arsyeja është për shkak të pasaportës shqiptare, përmes së cilës mund te transferohet më lehtë në Rusi. Lojtarët tanë po mashtrohen nga disa kuazi-menaxhera, që po i joshin dhe po i mashtrojnë ata.
Nuk kam koment për lojtarët që po e tradhtojnë fanellën Dardane dhe që po luajnë me punën, mundin dhe djersën tonë. Këtu kanë faj edhe Duka (Armand) dhe FSHF që nuk po e ndalin këtë trend. Ne nuk kemi forcë e fuqi që të punojmë për dy ekipe kombëtare”, tha Afrim Tovërlani.
Më herët, edhe Ardian Ismajli, Arbnor Muja, Mirlind Daku dhe Ermir Rashica që kanë qenë pjesë e Kosovës, kanë kaluar te Shqipëria.