Gene Hackman, aktori fitues i çmimit Oskar vuante nga Alzheimer në një fazë të avancuar dhe vdiq nga sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë. Nga autopsia e publikuar këtë të premte thuhet se ndoshta ai ka ndërruar jetë gati një javë pasi gruaja e tij, Betsy Arakawa humbi jetën nga një sindromë e rrallë e mushkërive e transmetuar nga minjtë.
Aktori 95-vjeçar, bashkëshortja 64-vjeçare dhe një nga qentë e tyre u gjetën të pajetë më 26 shkurt në dhoma të veçanta të shtëpisë së tyre në Santa Fe të SHBA-ve. Shkaqet e vdekjes së tyre u njoftuan në një konferencë për shtyp në Zyrën e Sherifit.
Aktori vdiq nga sëmundja e arterieve koronare që u ndihmua edhe nga Alzheimer. Ndërsa Arakawa humbi jetën nga sindroma pulmonare hantavirus (HPS), një sëmundje e rrallë, por serioze e frymëmarrjes e shkaktuar nga ekspozimi ndaj brejtësve të infektuar. Shkaku i vdekjes së saj u konsiderua si natyral.
Ka të ngjarë që Arakawa të ketë vdekur e para më 11 shkurt ndërsa Hackman vdiq më 18 shkurt. Duke pasur parasysh se Hackman ishte në fazat e avancuara të sëmundjes së Alzheimerit, është “mese e mundur” ai nuk ishte në dijeni që gruaja e tij kishte vdekur tha një nga hetuesit. Ata u gjetën të pajetë një javë më pas më 26 shkurt.
Lëvizjet e fundit të Arakawa ishin më 11 shkurt, kur ajo ishte parë duke shkuar në një supermarket dhe duke u kthyer në shtëpi në mbrëmje. HPS transmetohet përmes kontaktit me jashtëqitjet e brejtësve, urinës ose pështymës ose kur thithet pluhuri i kontaminuar. Edhe pse e rrallë, sëmundja mund të jetë e rëndë, duke çuar në bllokim të frymëmarrjes në disa raste. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se si Arakawa u prek nga virusi.
Çifti, i cili ishte i martuar për më shumë se 30 vjet, u gjet në shtëpinë e tyre në Santa Fe pasi disa agjentë sigurie kryen një kontroll dhe gjetën trupat e tyre në tokë. Trupat e çiftit u zbuluan në faza të avancuara të dekompozimit, duke sugjeruar se ata kishin vdekur për disa ditë përpara zbulimit të tyre.
Trupi i Hackman u gjet në një dhomë pranë kuzhinës, me një bastun për ecje dhe një palë syze dielli aty pranë. Trupi i zonjës u gjet në banjë, me pilula të shpërndara pranë saj. Hackman ka lënë pas tre fëmijë të rritur nga martesa e tij e mëparshme.